Sekti i “profetit” të vetshpallur

08/08/2012 17:00

Prokurorët rusë ngritën akuza të abuzimit të fëmijëve ndaj anëtarëve të një sekti fetar musliman, i cili mbajti disa prej fëmijëve në bodrume nëntokë për më shumë se dhjetë vjet.

Akuzat më të rënda bien mbi themeluesin 83-vjeçar të sektit, Faizrakhman Satarov, i cili e konsideron veten një profet të dërguar prej Zotit.

Sekti vazhdoi funksionimin e tij për më shumë se një dekadë, në Kazan, kryeqytetin e Republikës së Tatarstanit, ku mbizotërojnë besimtarët muslimanë.

Pasi pretendoi se i erdhi frymëzimi hyjnor dhe u vetshpall profet, një pretendim që bie ndesh me principet themelore të islamit, Satarov urdhëroi 70 ndjekës të tij që të ndërprinin kontaktet me botën e jashtme dhe të jetonin në qeli të nëndheshme, që ai kishte ngritur brenda banesës së tij.

Të paktën 20 fëmijë, të moshës nga një deri në 17 vjeç, jetuan në këto qeli për vite me radhë, disa prej të cilëve pa parë kurrë dritën e diellit.

Lajmi ka tronditur banorët e Kazanit, një qytet kozmopolitan me 1,5 milionë banorë, ngritur në pikëtakimin midis lumenjve të Vollgës dhe Kazankës.

Kazani, për shkak të popullsisë së tij të përzjerë, konsiderohet në mbarë vendin si një shembull i përkryer i harmonisë dhe tolerancës fetare.

Top Channel