Modelja shqiptare në “Miss Italia Mondo”

08/08/2012 00:10

Një modele shqiptare hyn në finalen e ‘Miss Italia Mondo’. Ndër mbi 250 konkurrente, Adriana Jasimi, me banim prej 13 vjetësh në Firence, arriti të kalojë në fazën më të rëndësishme të konkursit.

Për herë të parë që nga viti 1939 kur ka filluar, konkursi ‘Miss Italia’ ka hapur dyert me një seksion të veçantë për bukuroshet që banojnë në Itali, por që ende nuk kanë pasaportën italiane.

Sy të gjelbër, 1 metër e 74 e gjatë, Adriana që ka lindur në vitin 1992 në Vlorë, ka mbaruar institutin e mesëm tekniko-social për marketing dhe tani për tani endrra e saj është moda. Natyrisht realizimi i kësaj ëndrre varët edhe nga klasifikimi i saj në finale ku do të konkurrojë me kandidatet e tjera që përfaqësojnë vende nga më të ndryshmet, Rumania, India apo Anglia.

Më 26 gusht ‘Rai Uno’ do të transmetojë drejtpërsëdrejti fazën finale të konkursit dhe Adriana Jasimi shpreson që ta votojnë sa më shumë telespektatorë nga Italia dhe nga Shqipëria. Edhe ne i urojmë fitore bukuroshes me sy të gjelbër e me numrin 044.

Top Channel