Sa e dhimbshme… zhytësi bie me shpinë

07/08/2012 16:20

Hedhjet nga trampolina kanë qenë ndër aktivitetet më të ndjekura dhe me konkurrencën më të lartë në këto Lojra Olimpike të Londrës.

Megjithatë, një hedhës gjerman nuk fitoi bujë për aftësitë e tij të veçanta në këtë sport kaq tërheqës, por për faktin se gabimi në kryerjen e ushtrimit, i kushtoi një rënie tejet të dhimbshme me shpinë në ujë.

17-vjeçari Stephan Feck, në tentativë për t’u kualifikuar në finale, tentoi të kryente një ushtrim me një shkallë të lartë vështirësie.

I nxitur nga shtysa e trampolinës tre metra nga lartësia e ujit, ai duhet të kryente një seri rrotullimesh mbrapsht në ajër, përpara se të binte drejt mbi ujë.

Megjithatë, gjatë kryerjes së ushtrimit, diçka nuk shkoi mirë, i riu humbi barazpeshën trupore dhe ra mbi ujë tërësisht me shpinë.

Feck doli nga pishina me shenja të qarta dhembje në fytyrë dhe mori zero pikë nga gjyqtarët, por të paktën mundi të ngushëllohej me brohorimat dhe duartrokitjet përkrahëse të publikut.

Zhytësi ishte me fat, sepse nëse kërcimi i tij do të kishte qenë nga platforma dhjetë metra e lartë, një rënie e tillë mund t’i kishte kushtuar lëndime të rëndësishme trupore.

Top Channel