Dhelpra, udhëtare në metronë e Londrës

07/08/2012 16:50

Një dhelpër guximtare befasoi londinezët dhe turistët që patën mundësinë të ishin bashkëudhëtarë në metro, gjatë së hënës.

”Pasagjeri” i rrallë u pa i ulur në një vagon në një linjë pak të frekuentuar në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa disa “udhëtarë” të tjerë i bënë fotografi, të postuara më pas në rrjete sociale.

Një prej personave që pati fatin e rrallë të fotografonte dhelprën në metro, i quajtur Stephen Ebert, deklaroi në shtypin britanik. “Dyert e trenit tim u hapën dhe ndieva se diçka më kaloi midis këmbëve. Për befasinë time më të madh, pashë që më kishte kaluar një dhelpër…”.

Një student, i cili ndodhej në tren rrugës për në Uimbëlldon, shtoi në një rrjet shoqëror: “Hyri në vagon, u ul në një ulëse dhe pasi eci pak, u zhduk ashtu siç hyri”.

Me siguri, largimi i shpejtë i dhelprës mund të jetë shkaktuar nga fakti që në tren, do të ketë pasur shumë pak “fytyra të njohura” për të.

Top Channel