Lajthitja e ligjeve të natyrës

06/08/2012 00:00

ARTAN MULLAJ – Mbresëlënëse rezistenca detare e Kryeministrit në Dhërmi.
Ashtu si ngjitja energjike në murin kinez kohë më parë, notimi i gjatë,
përkundër dështimit të përfaqësuesve tanë olimpikë në Londër, dëshmon
për një energji të fshehtë pleqërie.

Edhe këtë herë, gladiatori i pushtetit ka zgjedhur të njëjtën mënyrë cezariane për të paralajmëruar kilovatët e shumtë poshtë lëkurës së tij. Në prag të pleqërisë dhe pranë zgjedhjeve parlamentare, Saliu ia ka dalë t’i ngjallë politikisht, por edhe privatisht frikë opozitës. Përbindësh elektoral i tranzicionit, ai po shet me cinizëm performancën fizike, rekord pas rekordi, sa si një sfidë, po aq si një kërcënim për kundërshtarët.

Në prag të betejës vendimtare, lajthitja e ligjeve të natyrës në trupin e Kryeministrit, që duket më i ri pas çdo viti që shkon në pushtet, ka sjellë për pasojë shkëndija optimizmi në sytë e atyre që e mbështetin dhe e ndjekin nga pas. (Dihet që këta mbështetës janë klasa pushtetare e re dhe e lartë në Shqipëri; grupimi i pasur, elita mediokre, militante dhe primitive, që ai vetë e krijoi sipas bindjes se klasat e larta zvarriten në monotoninë që u afron pasuria, lavdia e pamerituar dhe mungesa e problemeve, por ato shndërrohen në plazma besnike e kamikaze kur rrezikohen dhe sidomos kur rrezikohet pushteti dhe lavdia e liderit të tyre).

Frymëzimi, ky është një nga shpjegimet përse sundimi i disave nuk ka të sosur…

Sado primitive alegoria, mund të supozohet me modesti se jetëgjatësia e paralajmëruar e Kryeministrit ka vërtet nuancat e një simboli… Kjo, sepse i pushtuar nga një furi e pakuptueshme iluzionesh mes qartësisë të të tjerave, Saliu e ka përcjellë mesazhin e urtë te besnikët e tij kamikazë, por edhe te të tjerët, se ai është sot më i fuqishëm se kurrë, rekordmen, sfidues, sundimtar, dinozaur, i pathyeshëm, i pamposhtur, si një krijesë me fuqi jashtëtokësore, që nuk llogarit më asgjë…

Ashtu si fitoret radhë elektorale, sfidat e përsëritura fizike kanë ndihmuar edhe ato në krijimin e një psikoze të re, të cilën ai e publikon me euforinë e njeriut të gdhendur prej eksperiencës. E publikon enkas për të ndikuar në opinionet e njerëzve të dënuar të bëjnë sehir madhështitë dhe mirë bën. Ka një qëllim të caktuar. Duke i shtyrë ata drejt bindjes se edhe pse i ka trokitur vjeshta në vesh, edhe pse i ka ardhur data e skadencës, ai është ende i aftë që energjinë e pushtetit ta shndërrojë në imazhe, në vazhdimësi, pra dhe në sundim.

Pa fjalë, mund ta etiketojmë si një “Gjeneral” në luftën e pandershme të krijimit të përshtypjeve. Si çdo plak, trupin e ka të shëmtuar, por ai e zbukuron me fitore, duke thyer rekorde si edhe duke sfiduar, thuajse në çdo betejë opozitën.

Por në sfidën e gjatë, fshihet, megjithatë, një kurth tinëzar. Kohë pas kohe, në betejën më opozitën, me fatin, me kohën madje edhe me Zotin, sukseset politike në skenë dhe rekordet sportive të Kryeministrit nuk është e sigurt se do të kujtohen gjatë. Askush nuk mund ta dijë nëse brezi që vjen do të befasohet me rekordet e Saliut në bregdet, po aq sa me magjinë e “Facebook”-ut. Se çfarë hyn në histori, është thuajse e paparashikueshme. I paparashikueshëm gjithashtu është edhe ankthi i Kryeministrit për lavdinë e tij. Lavdia e tij, a do të kujtohet me disa rreshta plot metafora në historinë e Shqipërisë? Sa më i madh sundimi, sa më e qartë lavdia, sa më të bujshme fitoret, sa më të hidhura sfidat, aq më i madh makthi. Jo rrallë historia ka qenë e pamëshirshme për sundimtarët e llojit të tij. Tani është në altar, por çdo të ndodhë pas 10 vitesh, 20 apo 30 siç thotë edhe vetë, kur ta ketë humbur betejën me kohën, fatin dhe veten e tij? Çdo të ndodhë me lavdinë e tij. Do ta zbehë mjegulla? Do ta pushtojë errësira? Do ta kujtojnë si një ëndërr, si një dhëndër, legjendar dhe të shqartër, si kujtohet sot Skënderbeu, apo për të do të shënohen veç disa rreshta kronike, si ato që janë shkruar për Haxhi Qamilin? Apo do të ketë heshtje dhe natë? Ankthi dhe makthi shndërrohen në dëshpërim të thellë prej dyshimit. Haxhi Qamili së paku përmendet në histori, kurse vëmendja për Saliun nuk është e sigurt. Disa pyetje therin fort kur je në majën e majës. A do të jetë në histori Kryeministri Sali, a do të shkruhet për të, a do të kujtohet, a do të vlerësohet për sundimin e gjatë dhe për rekordet olimpike të notit në Dhërmi e Himarë? A do të jetë në radhë si fisnikët e rrallë shqiptarë të legjendave dhe përparimit, apo gjithë kjo dritë profetike suksesi do të shuhet në kohë si qiriri në erë?

Kjo është një dilemë. Pavarësisht se është në një formë të shkëlqyer fizike, dhe pavarësisht besimit çmenduror se do të jetë Kryeministër edhe 30 vjet të tjera, vështirë se Kryeministri, për shkak të kësaj dileme, të jetë i karikuar njëlloj në betejën me ndërgjegjen e vet. Çështja e historisë përzihet me çështje të moralit dhe këto gjëra ngatërrohen. A do ta mirëpresë historia këtë sundimtar që i ka sjellë shumë kokëçarje kombit të vet? A do t’ia hapë Shën Pavlloja derën e shenjtë?

Çështja e moralit ngrihet si një barrierë frenuese matanë. Ai e di se edhe shenjt të ishte, edhe murg të ishte, edhe engjëll të ishte, do ta kishte të pistë lëngun mavi të moralit me gjithë sa kanë ndodhur gjatë sundimit të tij. Lumturi e trishtë sundimtari, sa kohë që pas supeve ka ngjarje të këqija, dhe përpara, në të ardhmen, kushedi ç’bëma të tjera do të ndodhin. Sa i takon së shkuarës, gjaku nuk lahet. Madje, edhe Krishti vetë i ringjallur do të ndruhej nëse në mbretërinë e tij do të ndodhnin Gërdeci dhe 21 janari. Vrasje shtetërore, humbje të pafajshmish, harbutëri. Lëng i zi! Kryeministrit do i duhet të përballet, herët a vonë, në vetëdijen e tij, me një gjyq drejtësie. Por a do të përballet ndonjëherë me vetveten, duke parë fytyrën në pasqyrë, për ta sfiduar atë? Pak shanse ka. Në skenën e trishtuar të ngjarjeve shqiptare, duket se sfida e re e Saliut qëndron jo në betejën me moralin, për t’u vetëpastruar. Madje, as në rekordet qesharake të notit, që do të harrohen shpejt. Sfida e Kryeministrit qëndron në faktin që edhe pse nuk është Krisht dhe as ndonjë engjëll me flokë kaçurrela, fajtor ose jo nga gjykimi i ndërgjegjes, ai vazhdon të jetë një shkëlqimtar i pandreqshëm. Ai do të vazhdojë të jetë aq më i fuqishëm, sa më e dobët të jetë opozita, dhe sa më të mëdha janë lakmitë, akuzat, bëmat, tradhtitë e skandalet, të gjitha bashkë në sundimin e tij.

…Ndjesitë popullore janë si plazmimet ujore në Dhërmi, që trazohen kollaj… nga energjitë e liderëve, sido qofshin ato. Ky është një

përfundim instiktiv, të cilin Kryeministri ynë mbase e ka kuptuar rastësisht nëpër betejat e gjata dhe përvojat e gjata elektorale. Falë kësaj përvoje, ai është kthyer në një mjeshtër të imponimit krejt rastësisht gjithashtu, ashtu si rastësisht ka sfiduar rezistencën skeptike të perceptimeve njerëzore, duke i manipuluar ato lehtësisht, qoftë me ngjitjen në murin kinez, qoftë duke notuar gjatë, si kampion olimpik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel