Mesut Ozil, emër rruge në qytezën turke

31/07/2012 10:40

Mesut Ozil konsiderohet si një tradhëtar nga shumë turq, për zgjedhjen që bëri për të luajtur me kombëtaren gjermane disa vite më parë.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar kryebashkiakun e qytezës së Devrekut, në krahinën Zonguldak, që të vendosë emërtimin e një rruge me emrin e futbollistit të Realit të Madridit.

Një admirues i madh i mesfushorit, kryebashkiaku Mustafa Semerci u shpreh se “është një nder për qytetin fakti se Ozil i ka prejardhjet pikërisht nga Devreku. Është diçka që duhet ta bënim ndaj tij”.

”Ozilmania” nuk do të ndalet vetëm me kaq. “Do të ndërtojmë edhe një gjimnaz, fusha futbolli dhe një rezidencë për futbollistët e ardhshëm. Ky kompleks duhet të ketë gjithashtu emrin e tij. Kemi folur edhe me babain e Ozil dhe futbollistit duket se do të mbështesë financiarisht projektin”, shtoi kryebashkiaku.

I lindur në Gjermani, Mesut ka thënë më parë se e ndien veten më shumë gjerman se sa turk. Megjithatë, kjo nuk e pengon që qyteza e vogël e Devrekut ta konsiderojë futbollistin si ambasadorin e saj nëpër botë.

Top Channel