Falja e të tjerëve i bën mirë zemrës

30/07/2012 13:00

Thuhet se të gabosh është njerëzore dhe të falësh është hyjnore. Por, një studim i ri ka dalë në përfundim se të falësh gabimet e të tjerëve i bën mirë edhe shëndetit. Sipas shkencëtarëve të Universitetit të Kalifornisë, ata që nuk mbajnë inat kanë më pak probleme me zemrën.

Në studim morën pjesë 200 vullnetarë të cilëve iu kërkua të mendonin për momentet kur janë zhgënjyer apo ofenduar nga një mik. Gjysmës iu kërkua që të rikujtonin se sa ishin zemëruar, ndërsa gjysmës tjetër iu kërkua që momentet e zhgënjimit t’i kujtonin me prirjen për të falur.
 
Pjesëmarrësit në këtë studim ishin të lidhur me disa monitorë që tregonin presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës. U pa se “grupi i të inatosurve” kishte një presion më të lartë gjaku krahasuar me “grupin që falte”.

Drejtuesit e studimit theksojnë për ‘Daily Mail’ se edhe pse bëhet fjalë për një studim të vogël, rezultatet tregojnë se falja e të tjerëve bën që zemra mos të “stresohet” dhe të parandalohet vuajtja nga tensioni i lartë në të ardhmen.

Top Channel