Pothuajse dy vjet pasi iu dorëzua drejtësisë amerikane, ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme Almir Rrapo, u dënua me mbi gjashtë vjet burg në Shtetet e Bashkuara, “për krime te tmerrshme”, i lidhur me një grup të trafikut të drogës në Stejtën Ajlënd, në pjesën jug-perëndimore të Nju Jorkut.

29-vjeçari u arrestua në Tiranë në kohën që do të aplikonte për vizë amerikane, ndërsa për gjashtë muajt në vijim Rrapo i luajti të gjitha kartat në mënyrë që t’i shmangej ekstradimit.

Ish-këshilltari i Ministrisë së Jashtme iu dorëzua palës amerikane në bazë të të vetmes marrëveshje që kemi në fuqi që në kohën e Ahmet Zogut për ekstradimet, për t’u përballur më pas me akuzat që rëndojnë mbi të ashtuquajturën banda Krasniqi, si dhe me akuzat e një vrasjeje në Kuins, një rrëmbim të dhunshëm dhe krime të tjera.

Çështja “Rrapo” i trazoi shkallët e gjyqësorit por edhe vuri në dukje se sa zvarriten proçeset në vendin tonë. Kur dy gjykatat, ajo e shkallës së parë dhe ajo e Apelit, i thanë “po” ekstradimit të 29-vjeçarit, një vendim i vonuar i Gjykatës së Lartë e riktheu çështjen sërish për rishqyrtim, pikërisht atëherë kur ekstradimi i Rrapos ishte bërë fakt dhe ai nuk ndodhej më në Shqipëri.

Dhe më në fund gjykata e shkallës së parë ia doli të jepte një vendim ekstradimi në një kohë kur në Amerikë tashmë kishte nisur gjyqi penal ndaj tij dhe ish-këshilltari madje kishte pranuar të bashkëpunonte.

I kërkuari si pjesëtar i grupit Krasniqi, drejtues të të cilit ishin dy vëllezërit Bruno dhe Saimir Krasniqi, Almir Rrapo dëshmoi, çka solli më pas edhe burgimin e tyre të përjetshëm.

Avokati mbrojtës Jeffrey Lihtman e cilësoi 29-vjeçarin Rrapo si “shembullin e shkëlqyer të bashkëpunëtorit me drejtësinë”. “Ai u largua nga këta njerëz sepse nuk mund të qëndronte mes tyre dhe vendosi të bëje një kthesë në jetën e tij”, tha Lihtman, i cituar nga “New York Post”.

Dëshmitë e Almir Rrapos ndihmuan autoritetet amerikane jo vetëm të zbardhnin vrasjet, por çfarë është më e rëndësishmja, të zbulonin një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të udhëhequr nga vëllezërit Krasniqi, trafik që dyshohej se kalonte shifrën e një milliard dollarëve.

FBI dhe DEA ishin vënë në ndjekje të kësaj organizate prej vitesh, por nuk kishin mundur të vërtetonin trafikun, për të cilin pendimi dhe më pas dëshmia e Almir Rrapos rezultoi vendimtare.

Top Channel