Japonezet humbasin kryesimin e jetëgjatësisë

27/07/2012 16:55

Gratë japoneze janë “parakaluar” nga ato të Hong Kongut, përsa i përket jetëgjatësisë mesatare, duke humbur kështu kryesimin për herë të parë në 25 vjet.

Një rënie e lehtë e jetëgjatësisë duket se është ndikuar edhe nga efektet e tërmetit e tsunamit shkatërrimtar të marsit 2011, shkruhej në raportin e përvitshëm të Ministrisë Japoneze të Shëndetit.

Jetëgjatësia mesatare për gratë japoneze pësoi një rënie të lehtë në përiudhën nga 2010-ta në 2011-n, nga 86,3 vjet në 85,9.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, gratë në Hong Kong jetojnë mesatarisht 86,7 vite.

Japonia është një prej vendeve me jetëgjatësinë më të lartë në botë, për shkak të zhvillimit të tij të lartë ekonomik dhe dietës tradicionale që ndihmon në shmangien e sëmundjeve kardiovaskulare.

Megjithatë, tërmeti me magnitudë 9.0 sipas shkallës rihter shkaktoi menjëherë 20 mijë të vdekur, shumica e të cilëve të rinj, çka uli pritshmërinë e jetesës gjatë vitit.

Një tjetër element që dëmton të dhënat e jetëgjatësisë është kultura e vetvrasjeve dhe rritja e numrit drastik të vajzave të reja që i marrin jetën vetes.

Përsa u përket jetëgjatësisë së meshkujve, u regjistrua një rënie me një muaj, nga 79,5 në 79,4 vite jetë mesatarisht.

Ndonëse jo një vend i zhvilluar, Shqipëria ka një jetëgjatësi të lartë, duke lënë pas edhe disa vende të Bashkimit Europian, si Hungaria apo Republika Çeke.

Në vendin tonë, pritshmëria e jetës në lindje për një mashkull është prej 73 vitesh dhe për një femër 78. Sëmundjet kardiovaskulare janë në vend të parë për shkaktimin e vdekjeve në vendin tonë, ndjekur nga traumat (aksidentet) dhe sëmundjet tumorale.

Top Channel