Shqipëria nën terrorin e zhurmave

25/07/2012 00:00

Një akt normativ me 9 nene synon t’i japë fund një praktike unike dhe
aspak të qytetëruar që ndodh në Shqipëri, veçanërisht në stinën e verës,
zhurmave të forta që shkaktojnë lokalet e natës jo vetëm në zonat
turistike, por edhe në zemër të Tiranës dhe qendrave të tjera urbane.

Ai që e ka iniciuar këtë akt normativ, që ka fuqi në të gjithe territorin e vendit, Kryeministri Sali Berisha foli shumë ashpër për këtë situate që nuk ka marrë asnjëherë një zgjidhje përfundimtare. 

“Une ftoj pronaret e ketyre lokaleve te mos i verboje babëzia dhe te mendojne se ka nje ore qe njerezit duhet te flene se perreth lokale te tyre ka te moshuar, ka te semure, ka foshnja. Kjo eshte nje cmenduri, eshte primitivizem, se kjo eshte te mos respektosh asnje standard, ky problem ka arritur aty ku nuk mund te tolerohet me tutje”, tha Berisha.

Per kete problem qe shqeteson me mijëra qytetare jane marre disa here vendime, te cilat zbatohen javen e pare dhe me pas harrohen, por kete here kryeministri Berisha foli per tolerance zero ndaj atyre qe i shkaktojne zhurmat e nates me muzike dhe ndaj atyre qe nuk zbatojne kete akt normativ.

“Ky akt normativ parashikon masat me te rrepta dhe te menjehershme ndaj atyre qe shkelin orarin e percaktuar. Ky akt normativ percakton shkarkim dhe humbje te detyres ndaj te gjithe atyre qe nuk zbatojne kete akt normativ dhe jane pergjegjes per te, qofshin ata inspektore te Mjedisit, te Shendetit Publik apo te Policise se Shtetit”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha vuri gishtin ne plage, kur analizoi pse vazhdon te jete kjo situate,megjithëse vendimet e njepasnjeshme te marra nga qeveria dhe pushteti lokal.

“Në te gjitha keto raste ju garantoj se mbrapa qendron korrupsioni. Por cilitdo qe do t’i shurdhohen veshet nga korrupsioni le te shkoje te punesohet atje. Dhe në adminsitrate te shtetit, rroge nuk merr me. Perkundrazi, do te cohet per ndjekje se perben ne krim”, tha Berisha.

Pa pergjegjesi nuk do te mbeten edhe minisrrat perkates, te cilet kane per detyre te monitorojne zbatimin e ketij akti normativ, qe, nese do te kete fatin e vendime te tjera, i ben te pashprese turistet qe kerkojne qetesi apo qytetaret qe banojne prane ketyre lokaleve.

“Nuk po kërkojmë gje tjeter veçse te bejme nje vend normal, se nuk ka gje me anormale se kjo qe ndodh ne brigjet tona, se kjo qe ndodh ne zemer te Tiranes, se kjo qe ndodh ne Shqiperi”, tha Berisha.

Moratoriumi kundër zhurmës

Akti normativ i miratuar nga qeveria për të vënë qetësi natën në të gjithë territorin e vendit përcakton me detaje strukturën që do të zbatojë këtë akt me fuqinë e ligjit.

Task forca për çdo qark drejtohet nga prefekti dhe ka në përberjë inspektorë mjedisi të pushtetit lokal, të shëndetit publik dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Task forca detyrohet të ushtrojë aktivitetin e saj në çdo ditë të javës, duke ndaluar veprimtaritë e çdo subjekti që tejkalon normat e lejuara të nivelit të zhurmës.

Akti normativ lejon muzikën e lartë, por brenda normave të përcaktuara të zhurmës, nga ora 19:00-23:30, çdo ditë me përjashtim të së premtes dhe së shtunës, kur atyre u jepet edhe 30 minuta më shumë, pra deri në mesnatë.

Pas këtij orari muzika duhet të ulet, në të kundërt, siç përcakton neni 4, strukturat e policisë së shtetit, në mbështetje të Isnpektoriatit të Mjedisit, aplikojnë ligjin që parashikon dënime adminsitrative.

Kjo do të thotë se çdokush që shkel këtë akt normativ do të ndëshkohet me pezullim të aktivitetit dhe sekuestrim të pajisjeve që gjenerojnë zhurmë.

Në rast kur subjektet kundërshtojnë zbatimin e ligjit, duke penguar ndërprerjen e aktivitetit apo matjen e zhurmës nga task forca, akti normativ udhëzon shoqërimin e tyre në polici dhe proçedimin penal.

Ashtu siç bëri të ditur kryeministri Berisha, akti normativ përcakton ndëshkim edhe për punonjësit e strukturave të ngarkuar me ruajtjen e qetësisë publike nga zhurmat e lokaleve të natës.

Nëse ata nuk kryejnë detyrat e ngarkuara, kjo konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore dhe përbën shkak për fillimin e proçedurave për largimin nga detyra.

Kjo është hera e parë, kur në një akt normativ vendosen masa kaq të ashpra për kundravjatësit dhe ata punonjës të shtetit që tolerojnë shkeljen e ligjit.

Por ditët në vijim do të jenë prova nëse ky vendim i qeverisë do të zbatohet dhe qytetarët, pushues apo banorë qofshin, do të përfitojnë nga ky moratorium i muzikës zhurmuese të natës.

Top Channel