Pakënaqësia ndaj “Facebook” në rritje

25/07/2012 17:10

Përdoruesit e rrjetit shoqëror “Facebook” janë gjithmonë e më të lodhur me reklamat e shumta që vendosen në faqe.

Një anketim i një kompanie të pavarur arriti në përfundimin se 53% e përdoruesve mendojnë se publikimet e sponsorizuara, faqet e rekomanduara dhe reklamat janë bërë të tepruara dhe të mërzitshme.

Sipas tyre, faqja është bërë shumë komerciale dhe kjo mund të rrezikojë në të ardhmen edhe statusin e kompanisë së Mark Zuckerberg si rrjeti shoqëror më popullor në botë.

Lajmi vjen në një javë të konsideruar si ndër më të këqijat në historinë e “Facebook”.

Kompania pritet të deklarojë humbje, ndërsa do të raportojë bilancin për tremujorin e parë të vitit.

Nëse do të ndodhë kështu, kjo do të jetë hera e parë në historinë e rrjetit shoqëror që regjistrohen tre muaj me renien fitimesh.

Vendimi i debatueshëm për të kuotuar kompaninë në bursë në maj gjithashtu rezultoi një eksperiment i dështuar, ndërsa rrjeti humbi shumë shpejt vlerën e fryrë të aksioneve të tij në treg.

Në sondazhin e kryer, 46% e përdoruesve shpreheshin gjithashtu kundër ndryshimeve të ndodhura së fundmi, me përfshirjen e “timeline” apo kronologjisë jetësore si një risi, ndërsa vetëm 39% duket se e kanë pëlqyer ndryshimet e reja të kryera në sistemin e “chat”-imit në rrjet.

Top Channel