Astronautja e parë amerikane, lesbike

25/07/2012 00:00

Sally Ride, gruaja e parë amerikane astronaute, që ndër vite frymëzoi
mijëra vajza duke i udhëhequr në studimin e lëndëve shkencore, mësohet
se ishte lesbike.

Prej rreth 30 vitesh ajo kishte një lidhje sekrete me një grua dhe lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të bërë nga fondacioni i themeluar prej saj “Sally Ride Science”.”Përvec Tam O’Saughnessy, partneres së saj prej 27 vitesh, Sally lë pas nënën e saj Joyce, motrën Bear dhe mbesën e nipin Caitlin dhe Whitney”, thuhet në njoftim. Sally nderroi jete për shkak të kancerit në pankreas.

Ride ishte e martuar me kolegun e saj Steven Hawley nga viti 1982 deri në vitin 1987. Ajo nuk ishte ushtarake, megjithatë si anëtare e grupit të punës së NASA-s ajo zgjodhi që t’i bindej rregullit “Don’t ask, don’t tell” (mos pyet, mos rrefe), një praktikë që i kërkon ushtarakëve që të mos flasin për shijet e tyre seksuale, për të evituar kështu sanksionet.

Kurrë në këto 27 vite, Ride nuk ka folur për këtë histori, që nuk do të bëhej publike, në rast se nuk do ta zbulonte “Sally Ride Science”.

Ride dhe O’Saughnessy u njohen me njëra-tjetrën në moshën 12-vjeçare në një kurs tenisi, duke u bërë mike të ngushta. Më pas astronautja e ardhshme zgjodhi karrierën akademike duke u diplomuar në fizikë dhe duke marrë pjesë në programin e astronautëve, ndërsa mikja e saj u bë teniste profesioniste dhe mori pjesë edhe në turnetë e Wimbledon dhe US Open në fillim të viteve 70-të. Më pas ajo u bë pedagoge e psikologjisë në Universitetin e San Diegos dhe zëvendëspresidente dhe drejtore ekzekutive e fondacionit.

Ride nuk kishte dëshirë të fliste për jetën e saj private. “Askush përvec familjarëve të saj nuk e dinte që ajo vuante nga kanceri. Për plot 17 muaj askush nuk e mori vesh”, tha motra e saj Bear. Rreth orientimit të saj seksual, Bear tha se Sally nuk pëlqente shumë etiketat dhe nuk para fliste shumë për gjërat e saj personale.

“Megjithatë Sally nuk e ka fshehur kurrë marrëdhënien e saj. Ishin mike, kolege të fondacionit dhe kanë shkruar një libër së bashku. Natyrisht që miqtë më të afërt kishin dijeni për këtë lidhje”, thotë Bear.

Top Channel