Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj propozoi disa ndryshime në ligjin për këtë institucion gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në komisionin e ligjeve, me kërkesën e Partisë Socialiste.

Në ndryshimet që Gjykata e Lartë propozon bie në sy së pari, kërkesa për të çuar në 21 numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga 17 që janë aktualisht dhe nga 19 që propozon qeveria, si domosdoshmëri për të vënë në funksionim Gjykatën Administrative.

Së dyti, duke përkrahur zgjedhjen me shumicë të cilësuar të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zonja Becaj propozoi që presidenti të mos konsultohet me grupet parlamentare përpara se të nxjerrë dekretin, por me kryetarin e kësaj gjykate dhe me ministrin e Drejtësisë.

Kjo sipas saj, do të rriste pavarësinë e anëtarëve të Gjykatës së Larte. Por, ajo që spikat më shumë në propozimet e kryetares së Gjykatës së Lartë është kërkesa për rritje pagash të anëtarëve të kësaj gjykate.

Duke propozuar që ata të kenë paga 10 për qind më të larta se ministrat, nga barazia që ekziston aktualisht, çka rritet në të njëjtin proporcion edhe për kryetarin e këtij institucioni, zonja Becaj mendon se rritja e pagave i jep zgjidhje çështjes së shumëpërfolur të korrupsionit në gjyqësor, veçanërisht në Gjykatën e Lartë.

“Që të luftohet korrupsioni do të thotë të ketë pavarësi, integritet, qëndrueshmëri, të mos kemi frikë të japim vendimet. Nëse një gjykatë do ketë pavarësi, ajo do të jetë një institucion dinjitoz. Sa i takon asaj se Shpresa Becaj dëshiron të rrisë pagën e vetë, kjo nuk më shkon fare ndërmend, sepse unë jam edhe pak muaj aty dhe nuk do jem më kryetare gjykate”, deklaroi Becaj.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, e cila është në fund të mandatit të saj, ka bërë edhe një amendament tjetër, i cili u siguron anëtarëve të Gjykatës së Lartë që u mbaron mandati vende të sigurta në Gjykatat e Apelit, kudo që ata ta kërkojnë.

Dhe jo vetëm kaq. Këta ish-anëtarë, sipas zonjës Becaj, jo vetëm duhet të zënë vend në Gjykatat e Apelit pa konkurs, si gjithë të tjerët, por edhe derisa të dalin në pension të paguhen me rrogën e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Këto propozime janë hedhur poshtë nga Ministria e Drejtësisë dhe misioni Euralius, duke mos pranuar arsyetimin e Gjykatës së Lartë se të tilla ndryshime do t’u jepnin anëtarëve të këtij organi më shumë pavarësi apo integritet në dhënien e drejtësisë.

Projektligji për Gjykatën e Lartë është një iniciative, për miratimin e të cilës kërkohet shumicë e cilësuar e votave. Deri tani nga socialistët nuk janë dorëzuar amendamente, por në paketën e ndryshimeve kushtetuese opozita kërkon votimin me 3/5 të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, gjë që nuk është pranuar nga Partia Demokratike.

Pa ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë, të paktën përsa i përket rritjes së numrit të anëtarëve të saj, nuk mund të nisë nga funksionimi në janar Gjykata Adminstrative.

Artan Zeneli, kreu i ri i Gjykatës së Lartë

Komisioni i ligjeve miratoi dekretin e presidentit Bamir Topi për emërimin në Gjykatën e Lartë të Artan Zenelit, i cili mban aktualisht detyrën e kryetarit të Gjykatës së Tiranës.

Por votimi në komisionin e ligjeve nuk ishte unanim. Mes votave pro të Partisë Demokratike spikati vota kundër e deputetit Enkelejd Alibeaj. Ndërsa Partia Socialiste abstenoi. Zoti Alibeaj votoi kundër duke shprehur konsideratë të ulët për meritën e gjyqtarit Zeneli.

Kandidatura e tij u rrëzua 4 vjet më parë nga mazhoranca, në bllok me disa dekrete të tjera të presidentit, me argumentin se kreu i shtetit nuk ishte konsultuar me Parlamentin.

Për të dytën herë zoti Topi nuk u konsultua kur çoi të njëjtin emër, me të njëtën proçedurë në Parlament, gjë që sipas deputetit Alibeaj është një arsye tjetër pse voton kundër.

Megjithatë, kryetari demokrat i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali tha se Parlamenti e ka fituar këtë betejë kushtetuese me presidentin Topi, pasi ka marrë në favor vendimin e Gjykatës Kushtetuese për bashkëpunim mes insitucioneve në dekretimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.

Në vigjilje të Presidencës Nishani, Ilir Rusmali u shpreh se shpresonte që presidenti i ri të korrigjojë gabimet kushtetuese të paraardhesit Bamir Topi. 

Top Channel