Berisha: Të votojmë më 6 gusht

23/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha u tregua i hapur për ndryshime në draftin që Partia Demokratike ka dorëzuar për imunitetet.

Ai autorizoi relatorin demokrat Edi Paloka që të marrë mendimet e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë për të arritur në një variant konsnesual me socialistët, në mënyrë që drafti të votohet në unanimitet më 6 gusht.

Por Partia Demokratike nuk do të pranojë në mënyrë kategorike të negociojë paketën e socialistëve për ndryshime të tjera kushtetuese.

Sipas kryeministrit Berisha, paketa e opozitës që kërkon emërimin me 3/5-at të prokurorit të përgjithshëm, anëtarëve të Gjykatës së Larte, Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të KLD-së janë kushte për të mbajtur peng heqjen e imuniteteve.

“Ajo që është një pazar është fakti se zoti Rama e lidh me pazaret për drejtësinë heqjen e imunitetit. Ai kërkon si shkëmbim atë që kërkoi me Avokatin e Popullit, që e mbajtu dy vjet pa kryetar. Ky është kusht për sundimin e pakicës dhe nuk do të pranohet kurrë”, deklaroi Berisha.

“Ky vend ka kaluar 45 vjet nën sundimin e pakicës dhe këto kohëra kanë ikur. Është në detyrimin tonë moral dhe ligjor të votojmë më 6 gusht një akt madhor që shqiptarët e presin prej 10 vitesh”, vijoi kryeministri.

Top Channel