Turi i kryeparlamentares Topalli

22/07/2012 00:00

Fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri, politikë dhe në biznes ishte kryefjala e takimit të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli me gratë dhe vajzat e komunës Kallmet në Lezhë.

Duke nxitur orientimin e grave në drejtimin e bizneseve të ndryshme, Kryetarja Jozefina Topalli vuri theksin tek rëndësia e fuqizimit ekonomik të gruas, cka e bën e ndihmon atë të jetë më e pavarur dhe e barabartë me pjesën tjetër të shoqërisë.

“Kur gruaja drejton një biznes, kur gruaja fuqizohet ekonomikisht ajo prodhon më shumë, ajo ndihmon në rritjen ekonomike, ajo sjell më shumë para në familje, ajo ndihet më me dinjitet në raport me shoqet e saj ;çdo grua  ndihet më e pavarur, dhe në fund të fundit, ne të gjitha duam të jemi të barabarta me pjesën tjetër të shoqërisë”, tha zonja Topalli.

Gjatë qendrimit në Komunën e Kallmetit në Lezhë,  Kryetarja e Kuvendit vizitoi edhe një panair, ku ishin ekspozuar prodhime bio, punime artizanale dhe artistike të bëra me dorë, produkte të mikrobizneseve të drejtuara nga gratë e kësaj zone, që njihet kryesisht për prodhimin e verës.

Zonja Topalli theksoi rëndësinë që ka forcimi i promovimit të këtyre produkteve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, gjë që sipas saj do të ndihmonte në rritjen e mirëqënies të familjeve shqiptare.

Top Channel