Një shqiptare mban flakën olimpike

22/07/2012 00:00

Enkeleda Berisha është tetraplegjike dhe jeton në karrige me rrota. Ka 8 vjet që banon në Londër dhe në këtë kryeqytet ajo sot hyri në histori si shqiptarja e parë që mban ndonjëherë pishtarin e flakës olimpike e miratuar pas procedurash mjaft strikte nga organizatorët e Lojrave Olimpike “ Londër 2012”, që fillojnë pas një jave.

Ky nder i posacëm u është ofruar personaliteve nga fusha të ndryshme të jetës dhe individeve në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e spikatur që kanë dhënë për shoqërinë britanike.

Kanë qenë kolegët dhe miqtë që kanë bërë fushatë për Enkeledën për kontributin e saj të shquar dhe të vecantë që ajo të  bëhet mbajtesja e pishtarit olimpik të mbërritur në Britani nga Greqia më 18 maj.

Enekelda Berisha, me origjinë nga Tirana drejton dhe menaxhon një organizatë që quhet “Flying ?heels”  dhe merret me aktivitete sportive për fëmijët tetraplegjikë.Jo vetëm ajo, por edhe partneri i saj shqiptar nga Shkodra, Ori është në karrige me rrota dhe madje lojtar i rugby-it  në ekpin “?heelchair Rugby London”, dhe trajner i fëmijëve tetraplegjik që luajnë këtë sport.

Enkelejdës iu desh të kalonte shtatë faza për të arritur në nominimin për të qenë mbajtëse zyrtare e pishtarit olimpik. Për Top Channel në Londër, Enekelda Berisha tha se “ka kaluar një nga momentet më të bukura të jetës dhe se nuk ndodh cdo ditë të mbash flakën olimpike. Është një shans që të vjen vetëm një herë në jetë.

“Kam shijuar cdo sekondë të saj. Ishte një eksperiencë e  mrekullueshme”, thotë  ajo.

Rasti i Enkeleda Berishës është një rast krenarie për komunitetin shqiptar në Britani dhe pasqyrë dhe shembull i asaj se cka i ofron shoqëria britanike të gjithëve për t’u integruar, edhe pse në rrethana të pazakonta.

Top Channel