“Ngrehinat” olimpike që bënë krenarë gjermanët

22/07/2012 13:50

Ndërsa Londra përgatitet të presë Lojrat Olimpike “më të mira” të të gjitha kohërave, Gjermania rrezikon të humbasë atë që dikur ishte Olimpiada më spektakolare e historisë.

Në vitin 1936, Hitleri vendosi që t’i shndërronte Lojrat e Berlinit në një arenë propagande, për të treguar madhështinë e Gjermanisë së tij përpara të gjithë vendeve të tjera.

I vendosur për të treguar “epërsinë” e racës ariane, “Fyhreri” ndërtoi atëherë një mori kompleksesh dhe një fshat olimpik me një luks të pabesueshëm për kohën.

Megjithatë, shumë prej tij u dëmtua gjatë pushtimit sovjetik të Gjermanisë dhe pas largimit të trupave të ushtrisë së kuqe në 1992, vetëm 25 prej 145 ndërtesave origjinale mbeten ende në këmbë, por në nevojë urgjente për restaurim.

Midis tyre, vazhdon të mbetet pishina, palestra, teatri dhe salla e ngrënies.

Jens Becker, drejtues në “DKB Bank”, e cila ka marrë pronësinë e truallit dhe ngrehinave, rrëfeu në shtypin gjerman se mbijetesa e fshatit olimpik po bëhet gjithmonë e më e vështirë.

”Ky është fshati më i vjetër olimpik që ekziston dhe prandaj është kaq e rëndësishme ta shpëtojmë. Është pjesë e një pjese të historisë gjermane që pothuajse është zhdukur. Ky është fshati i parë olimpik në natyrën e tij dhe të gjithë atletët nga e gjithë bota mbetën gojëhapur. Më parë, asnjëherë nuk kishte pasur një pishinë në një fshat olimpik, ndërsa luksi për kohën ishte i pabesueshëm”, rrëfeu Becker, në një thirrje publike drejtuar autoriteteve për të vënë dorë në shpëtimin e kësaj pasurie kombëtare.

Top Channel