Gjyshi, çfarë bëre sot te zyra?

21/07/2012 00:00

Artan Lame – Duke qenë me zanat inxhinier, në shumë raste e kam më të thjeshtë të shprehem me grafikë e me tabela sesa me fjalë e analiza. Po i lë vend edhe kësaj radhe një tabele të thjeshtë fare.

REFERENDUMI
PËR NDALIMIN E EKSPORTIT TË PLEHRAVE

LËVIZJA
PËR MBROJTJEN E PARKUT TË TIRANËS

Qeveria pa konsultim miraton një
ligj që lejon importimin e mbeturinave dhe plehrave në Shqipëri.

Bashkia e Tiranës fillon pa asnjë
leje dhe konsultim paraprak zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Zbatimi i këtij ligji do të lejojë
rritjen e nivelit të ndotjes në vend dhe për rrjedhojë përkeqësimin e
situatës mjedisore.

Zbatimi i projektit do të çojë
(dhe po çon) në dëmtimin e parkut të Tiranës dhe përkeqësimin e situatës edhe
kështu shumë të rënduar mjedisore në qytet.

Fillon mobilizimi i mediave,
shoqërisë civile dhe qytetarëve për kundërshtimin e zbatimit të ligjit.

Fillon mobilizimi i mediave,
shoqërisë civile dhe qytetarëve për frenimin e masakrës në park.

Qeveria mbron ligjin e miratuar,
duke thënë se ai u shërben qytetarëve dhe se kundërshtarët po pengojnë
zhvillimin e vendit.

Qeveria mbron projektin (që nuk
ekziston) duke thënë se ai u shërben qytetarëve dhe se ne duam të pengojmë
zhvillimin e qytetit.

Kryeministri sulmon shoqërinë
civile, duke deklaruar se ajo po keqpërdoret nga opozita.

Kryeministri sulmon shoqërinë
civile, duke deklaruar se ajo po keqpërdoret dhe se parkun po e shkatërrojnë
bosët e PS-së.

Shoqëria civile përpiqet të
grupohet dhe organizon edhe disa protesta në qytete të ndryshme, për të
rritur sensibilizimin e qytetarëve.

Shoqëria civile përpiqet të
grupohet dhe organizon edhe disa protesta në parkun e Tiranës, për të rritur
sensibilizimin e qytetarëve.

Me gjithë presionin e qytetarëve
dhe shoqërisë civile, shteti hesht duke mos kthyer asnjë përgjigje për
kërkesën për referendum.

Me gjithë presionin e qytetarëve
dhe shoqërisë civile, shteti hesht duke mos kthyer asnjë përgjigje për
kërkesën minimale për bërjen publike (siç e kërkon ligji) të projektit të
miratuar.

Njerëz dhe persona publikë, u
drejtohen disa herë përfaqësuesve të lartë diplomatikë, për të detyruar
KQZ-në për t’u shprehur.

Një grup analistësh dhe
gazetarësh, i drejtohen trojkës së ambasadorëve, duke kërkuar domosdoshmërinë
e thyerjes së heshtjes absurde të organizmave përkatëse.

Ambasadori amerikan Arvizu, gjatë
një takimi të zgjeruar me përfaqësues të shoqërisë civile, bën thirrje
direkte për detyrimin e institucioneve për t’u përgjigjur.

Ambasadori amerikan Arvizu, gjatë
një takimi me gazetarë dhe analistë, deklaron në domosdoshmërinë e
transparencës së institucioneve ndaj interesit publik.

Pas tre muaj heshtjeje, vetëm 24
orë pas ndërhyrjes së ambasadorit Arvizu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr
në shqyrtim kërkesën për referendumin

Pas një muaj heshtjeje, vetëm 24
orë pas ndërhyrjes së ambasadorit Arvizu, Bashkia e Tiranës pranon të dëgjojë
përfaqësuesit e shoqërisë civile.

KQZ, përmes duetit
Ristani-Kosovrasti luan disa orë teatër, bën sikur dëgjon argumentet e
grupimit qytetar dhe në fund merr vendim që referendumi të bëhet, por pas
ndonjë viti, pra të mos bëhet.

Bashkia e Tiranës përmes duetit
Basha-Kosovrasti, bën sikur dëgjon argumentet e grupimit qytetar dhe mbyll
mbledhjen sikur s’kishte ndodhur asgjë, pra pa bërë publik as projekt e as
leje.

Jashtë sallës së KQZ-së, ku u
luajt teatri, përfaqësuesit e Referendumit japin deklarata për zhgënjimin dhe
talljen e shtetit me ta dhe qytetarët.

Jashtë sallës së bashkisë ku u
luajt teatri, përfaqësuesit e qytetarëve japin deklarata për zhgënjimin dhe
talljen e shtetit me ta dhe qytetarët.

Plehrat do të vazhdojnë të mbysin
Shqipërinë, por tashmë me transparencë.

Parku i Tiranës u pre pa leje e pa
asnjë dokument, por ama u bë transparencë (që as kjo nuk u bë).

Ambasadorit Arvizu iu mbyll goja.
Transparencë deshi, transparencë i dhanë.

Ambasadorit Arvizu iu mbyll goja.
Transparencë deshi, transparencë i dhanë.

Ngjashmëria e këtyre dy ngjarjeve është vërtet mbresëlënëse dhe, për më tepër, nuk u zhvilluan me diferencë kohe prej vitesh e dekadash, por vetëm pak ditë nga njëra-tjetra. Ngjashmëria nuk është rastësi, vjen sepse e keqja buron nga të njëjtit njerëz dhe bie mbi kurrizin e të njëjtit popull, që duhet të durojë e t’i lutet Perëndisë t’ia heqë nga kurrizi meqë nuk i heq dot vetë.

Thashë se një pjesë e protagonistëve ishin po ata. Sali Berisha ishte në të dyja ngjarjet, ambasadori Arvizu ishte në të dyja ngjarjet, Fatos Lubonja, Xhemal Mato, Blendi Kajsiu, Lavdosh Ferruni luftuan në të dyja rastet në krahun e qytetarëve. Ardian Klosi, që aq shumë u aktivizua për të shpëtuar Shqipërinë nga plehrat, ndërkaq mungoi në betejën e dytë, pasi ka ndërruar jetë. Eh sa po e ndiejmë mungesën e tij nëpër këto beteja të shoqërisë kundër babëzisë! Ristani dhe Basha nuk ia vlen t’i quajmë të ndryshëm, pavarësisht se njëri vetëm qesh, ndërsa tjetri rri vetëm i zymtë. Janë dy nënprodukte identike të të njëjtit sistem pervers. Aq të njëjtë janë, sa shumë mirë mund të ishte Basha në KQZ dhe Ristani në bashki dhe besoj se ndani të njëjtin mendim me mua se asgjë nuk do ndryshonte.
Por figura më emblematike mbetet Njazi Kosovrasti që, në të dyja rastet ishte varrmihësi i dëshirës publike. Njaziu, ndryshe nga Klosi që po e përjetonte shumë rëndë çështjen e plehrave, jam i bindur se ka fjetur i qetë dhe pa vrasje ndërgjegjeje kur vendoste kundër referendumit. Edhe dje, ndërsa na hiqte fjalën nga goja në Këshillin Bashkiak, nuk besoj se ka fjetur me ndonjë vrasje ndërgjegjeje për shkatërrimin e parkut. Lum ai për gjumin që bën.
Po mirë mo Njazi, se nga ne nuk të prishet gjumi, po nipërve kur shkon në shtëpi, çfarë iu thua? Gjyshi, çfarë bëre sot te zyra? Ja të keqen gjyshi, miratuam një ligj për të mbushur Shqipërinë me plehra që, kur të rritesh të të mbysin deri në hundë. Ose, ja të keqen gjyshi, po presim parkun e Tiranës, që ti të lozësh në beton. Apo nuk u thotë fare nga këto dhe i bie shkurt: Të keqen gjyshi, mos më pyesni fare, po rrituni sa më shpejt dhe ikni një orë e më parë nga ky vend, që po i bëjmë varrin unë, xhaxhi Saliu dhe gjithë soji e sorollopi ynë.

Po mirë mo Njazi, po nipërve kur shkon në shtëpi, çfarë iu thua? Ja të keqen gjyshi, miratuam një ligj për të mbushur Shqipërinë me plehra që, kur të rritesh, të të mbysin deri në hundë.

Të keqen gjyshi, mos më pyesni fare, po rrituni sa më shpejt dhe ikni një orë e më parë nga ky vend, që po i bëjmë varrin unë, xhaxhi Saliu dhe gjithë soji e sorollopi ynë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel