Kur bukuria është thikë me dy presa

20/07/2012 00:00

“I dashuri im është vërtet një djalë i pashëm, ka trup të bukur, por nuk
më tërheq më”; “Jam me vajzën më të bukur që kam njohur ndonjëherë, të
gjithë më kanë zili, por mua më pëlqen dikush tjetër që nuk është dhe aq
e pashme”; “Nuk e kuptoj, jam me personin e duhur, është tipi që kam
dëshiruar gjithmonë, por ka diçka që nuk shkon”.

Janë tre fjali që tregojnë një realitet paradoksal, por shumë të përhapur: shumë prej nesh e shohin partnerin/en e tyre si të duhurin nga pamja e jashtme, por jo të duhurin nga ana erotike. Ka nga ata që flasin për tërheqje të pakët, ose aspak, të tjerë për marrëdhënie vëllazërore. Megjithatë, për personin që na ka magjepsur, jemi bërë xhelozë, madje mund të kemi sjellë në jetë edhe fëmijë. Po tani pse nuk na ngjall më pasion? Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet: stresi i përditshmërisë, humbja e misterit, koha e pakët që i kushtohet çiftit, akumulimi i inatit dhe mërive. Por në thelb, nëse mes partnerëve ka tërheqje seksuale, zakonisht këto pengesa nuk mjaftojnë për të fikur dashurinë. Atëherë çfarë ka ndodhur?

Tipi i duhur që rezulton i gabuar…

Në shumë raste, krisja ndodh që në fillim të marrëdhënies dhe jeton në një realitet që është i vështirë jo vetëm për t’ia pranuar vetes, por edhe për t’ia pohuar tjetrit. Kështu, as erosi, i kuptuar si ngjashmëri seksuale dhe pasion i madh, nuk ka ekzistuar që nga fillimi. Të pranishme mund të kenë qenë vetëm eksitimi i fillimit dhe kënaqësia që po bën dashuri me një person të cilin e pëlqen, sepse mendon që është “tipi i duhur” dhe kërkon të zbulosh të rejat e tij/saj. Pastaj ka mjaftuar pak kohë dhe rutina që gjithçka të venitet. Tani gjendeni me një partner që e doni shumë, me të cilin keni ngjashmëri njerëzore, kulturore dhe që ndani gjithçka, por nuk keni tërheqje fizike. Gjithsesi në shumë raste, situata është reciproke, sepse në thelb problemi është i njëjti, thjesht ndryshon mënyra që keni zgjedhur.

Gabimi fillestar

Në fillim të një historie mund të bëjmë një gabim të madh: duke u bazuar te mirëbesimi dhe synimet e mira bëhet një zgjedhje – pa hequr dorë nga ndjenjat – e tipit estetik. Dhe kjo jo vetëm në kuptimin e parë të fjalës (pra jemi të prirur të shkojmë drejt një personi me karakteristikat e fytyrës që janë brenda standardeve të bukurisë që dominon sot), por edhe në një kuptim më të gjerë: i jepet shumë rëndësi aspektit formal, karakteristikave “ideale” të partnerit. Kështu, shumë persona, mund të kërkojnë partner/e që është e paraqitshme për prindërit dhe miqtë; nëse ka para dhe është në karrierë; nëse bashkë bëni një çift të bukur në sytë e të tjerëve, nëse ajo mund të jetë një nënë e mirë dhe ai një baba për shtëpi, e kështu me radhë. Natyrisht që edhe këto janë vlerësime të cilat duhen marrë për bazë, gjithmonë në qoftë se doni një histori pasioni, por më të rëndësishme janë ato të planit erotik dhe afimiteti fiziko-seksual (për shembull që aroma e lëkurës së partnerit ju pëlqen ose jo). Nëse dikur martesat vendoseshin nga familjet, sot në shumë raste ndikohen nga modelet mendore të referencës, si familjare ashtu edhe sociale. Kjo mund të duket e pabesueshme, duke marrë parasysh përparimet në ndërgjegjen e sotme, por ndodh shpesh që një burrë ta lërë partneren (edhe pse mund t’i pëlqejë në seks) vetëm se ka celulit, të ndenjura të mëdha, ose gjoks të vogël. Por ka edhe femra që e zgjedhin partnerin vetëm se ka trup me muskuj, është i gjatë, ka sy blu, ose ka një pozicion shoqëror shumë të mirë.

Top Channel