Arte marciale për të edukuar terroristët

20/07/2012 17:20

Në hijen e stadiumit olimpik në Londër, shtrihet një lagje e varfër, e pagëzuar nga banorët si Londostan, për shkak të numri të lartë të emigrantëve muslimanë që banojnë në të.

Në prag të Lojrave Olimpike dhe me dijeninë se në zonë janë të pranishëm edhe qindra mbase mijera besimtarë ekstremistë, forcat e sigurisë dhe të inteligjencës kanë vendosur nën “karantinë” të gjithë zonën.

Si për të përkeqësuar situatën, ndikon fakti se në dy vitet e fundit, 50 të dënuar për terrorizëm janë liruar nga burgjet pas vuajtjes së dënimit dhe shumica e tyre janë zhvendosur për të jetuar në këtë lagje.

E megjithatë, në edukimin e tyre dhe luftimin e fondamentalizmit, një nismë e çuditshme e një muslimani vendas është duke dhënë rezultatet të shkëlqyera.

Në një repotazh të “CNN”, Usman Raja tregoi se si prej gjashtë muajsh ka hapur një palestër të arteve marciale dhe luftimit në kafaz, duke tërhequr në të edhe me dhjetëra ekstremistë fetarë, të cilët në kontakt me njerëzit dhe duke çliruar energjitë e tyre negative në palestër, janë bërë gjithmonë e më të pranueshëm për shoqërinë.

“Çdo ide që ka dikush për veten apo ekstremizmin fetar, ndryshon që në momentin e parë që shkel në këtë palestër”, deklaroi 34-vjeçari Raja, bir i emigrantëve pakistanezë. “Në momentin që ideja e fondamentalizmit sfidohet, atëherë ndodh që njerëzit ndryshojnë vazhdimisht përceptimin e tyre, sa më shumë dedikohen pas sportit”.

Nëpërmjet leksioneve të tij, Raja pretendon se ka kthyer në rrugën e duhur edhe shumë të rinj, të radikalizuar nga kontakti me fanatikë në burgje. “Mendoj se për shumicën e të rinjve radikalë, ajo që mungon me të vërtetë është një perspektivë jete. Është kjo ajo që ne përpiqemi t’u japim dhe nëse do të bëhej më shumë punë në këtë drejtim, jam  sigurt që ekstremizmi nuk do ta kishte të gjatë”, shtoi ai.

Sipas instruktorit të arteve marciale, ndonëse në dukje mësimet e tij mund të bëjnë më të dhunshëm nxënësit, sporti që ai praktikon kërkon një përqendrim dhe meditim të thellë,  cili u shërben studentëve që të largojnë mendimet e fondamentalizmit nga koka, duke gjetur qetësi shpirtërore dhe më shumë paqe me veten.

Top Channel