Historia e pabesueshme e dashurisë

19/07/2012 18:30

Historia e pabesueshme e dashurisë së një çifti kanadez, fitoi faqet e para të revistave rozë në vendin amerikanoverior dhe së shpejti mund të shndërrohet edhe në skenarin e ndonjë filmi të suksesshëm.

Matthew Leger dhe Celia Rodrigues, të dy 24 vjeç dhe banorë të Kebekut, do të kurorezojnë ndienjat për njëri-tjetrin duke u lidhur në martesë muajin e ardhshëm.

Deri këtu, nuk ka asgjë të pabesueshme, por historia e tyre e dashurisë bëhet unike për faktin se të dy u njohën ndërsa merrnin mësime noti në moshën 8-vjeçare, në një pishinë ku prindërit i kishin çuar brenda qytetit.

Të shndërruar në shokë të mirë fëmijërie, çifti frekuentohej vazhdimisht deri në moshën 13-vjeçare, ku për shkak të distancës së krijuar nga zhvendosja e prindërve të tyre, u shkëputën për dhjetë vjet.

Megjithatë, ndonëse një dekadë më pas, 23-vjeçarja Cecilia nuk e kishte harruar kurrë shokun e saj të fëmijërisë dhe pas një këmbëngulje të gjatë, e rigjeti, këtë herë për t’u dashuruar me shikim të parë… të paktën siç pretendon secili prej tyre.

E për të bërë këtë histori edhe më të veçantë, siç mund të imagjinohej, martesa është caktuar për t’u zhvilluar pikërisht buzë pishinës, në të cilën të dy u njohën vetëm atëherë kur ishin tetë vjeç.

Top Channel