Asma al-Assad strehohet në Rusi

19/07/2012 19:00

Gruaja e diktatorit Bashar al-Assad ka gjetur strehim në Rusi, pasi frikësohet për jetën e saj nëse vazhdon të qëndrojë përkrah bashkëshortit, në Sirinë e përgjakur nga lufta.

Lajmi për largimin e Zonjës së Parë Siriane u raportua gjerësisht nga mediat ndërkombëtare pasditen e së enjtes, ndërsa u cituan burime të besueshme prane Asma al-Assadit.

E lindur në vitin 1975 në Londër, 37-vjeçarja me pasaportë britanike është vendosur prej kohësh në qendër të kritikave për stilin e saj luksoz të jetës, në të njëjtën kohë që me miliona gra siriane janë duke vuajtur nga luftimet dhe mungesa e të mirave më thelbësore për një jetë normale.

Ndërkohë, ndonëse vendndodhja e saktë e Bashar al-Assad nuk është e njohur, besohet se ai ndodhet në qytetin bregdetar të Latakias, ku është duke drejtuar operacionet luftarake, së bashku me kunatin e tij dhe dy anëtarë të tjerë të rrethit të brendshëm të Assad.

Vendimi i gruas së tij 36-vjeçare për t’u larguar duket se është marrë pas vrasjes së bashkëshortit të motrës së Bashar, së bashku me dy ministra, atë të Mbrojtjes dhe të Rendit, në një atentat ditën e mërkurë.

Është e paqartë nëse të dy fëmijët e çiftit Assad kanë shoqëruar nënën e tyre në strehimin e sigurt në Rusi.

Deri në mesin e muajit, Assad dhe familja e tij kishin konfirmuar prezencën në Damask dhe kishin theksuar se nuk do të largoheshin, por prej më shumë se një jave, kryeqyteti është shndërruar në një arenë beteje midis forcave qeveritare dhe kryengritësve, duke u bërë i pasigurt edhe për vetë presidentin, pavarësisht masave të jashtëzakonshme të sigurisë, me të cilat ai ruhet.

Top Channel