Të irrituar ndaj “Facebook”

18/07/2012 16:50

Pakënaqësia ndaj “Facebook” ka arritur një nivel të paprecedent, ishte përfundimi i të dhënave të “American Customer Satisfaction Index”, specializuar në vlerësimet e konsumatorëve ndaj produkteve të ndryshme në treg.

Agjensia në fjalë, vlerësoi se është pikërisht risia e “Timeline”, hyrë në fuqi në muajt e fundit, ajo që ka shkaktuar këtë degradim në preferencat për rrjetin shoqëror më popullor në botë.

“Timeline” është një opsion i cili shërben për të ekspozuar të shkuarën e përdoruesve në profilet e tyre në mënyrë kronologjike.

Sipas të dhënave, vetëm 61% e përdoruesve amerikanë janë tashmë të kënaqur me shërbimin e ofruar nga “Facebook”, i cili ka mbetur kështu në raportin e kënaqësisë pas rivalit më të madh në treg, “Google +”. “Twitter”, “Wikipedia” dhe “Pinterest” kanë gjithashtu një vlerësim më të lartë se rrjeti i themeluar nga Mark Zuckerberg.

Një e dhënë e tillë, mund të sjellë ndikime në vlerësimin e “Facebook” në bursa, me çmimin e aksioneve që ka pësuar një rënie të vazhdueshme, që prej kuotimit të parë në muajin maj.

Top Channel