Yahoo! “ringjallet” me menaxheren e Google

17/07/2012 00:00

Yahoo! i është besuar një menaxhereje të Google. Sunnyvale ka emëruar
Marissa Mayer, veterane e Mountain View, si administratore të deleguar.

Bëhet fjalë për menaxherin e pestë në pesë vitet e fundit për Yahoo!. “Jam e nderuar të drejtoj Yahoo!”, ka thënë Mayer në një deklaratë.

Faqja e njohur e internetit është në kërkim të rilançimit. Pasi ishte dikur një nga pionierët e internetit, ajo ka humbur terren përballë Google dhe kolosëve të tjerë.

Yahoo! ka mbështetur gjithçka tek një grua për këtë projekt. E bukur dhe fotozhenike, me karakter të fortë dhe në pritje të një fëmije që duhet të lindë në tetor.

Marissa Ann Mayer në fakt ka njoftuar shtatëzaninë e saj përmes një mesazhi në Twitter menjëherë pas emërimit. Ajo është 37 vjeç dhe është menaxherja më e re në një shoqëri webi.

Është diplomuar në Stanford University dhe është specializuar në sektorin e inteligjencës artificiale dhe të kërkimeve online.

Ajo ka qenë një nga fytyrat e Google dhe ka ngjitur majat e kolosit deri në postin e nënpresidentes, duke kontribuar në lindjen e produkteve që sot përdorin qindra miliona persona në të gjithë botën si Gmail, Google News, Google Images, Google Maps, Google Earth, Zagat dhe Street View.

Top Channel