Insekte në dietën e brazilianëve?

16/07/2012 00:00

Pak vite më parë ishte Organizata Botërore e Ushqimit që hodhi
propozimin për futjen e insekteve në dietën e përditshme të njerëzve.

“Me 1400 specie që konsumohen rregullisht në të gjithë botën, ofrohen shumë mundësi si nga ana ekonomike ashtu edhe nga vlerat ushqimore që insektet të jenë pjesë e ushqimit të përditshëm të njerëzve”, tha agjencia e OKB-së për Ushqimin dhe Agrikulturën.

Në botë aktualisht janë shumë që konsumojnë rregullisht insekte. Disa specie kanë të njëjtat vlera proteinike sikurse mishi apo peshku. Ndërkohë insektet përmbajnë vitamina dhe kripëria minerale, sikurse janë të pasura me lipide.

Po ashtu edhe kostoja për insekte është më e ulët, ndaj sipas OBU-së, në vitin 2020 insektet mund të jenë realisht zëvendësuesit më të mirë të mishit të kafshëve.

Ndërkohë në Brazil, një shoqëri lokale e specializuar në prodhimin e gjinkallave dhe mizave ka kërkuar autorizimin nga qeveria për të ofruar menunë e saj popullatës. Prodhuesit e kësaj shoqërie theksojnë se konsumi i insekteve bën që organizmi njerëzor të marrë sasinë ideale të proteinave.

Ndërkohë ky ndryshim kërkon patjetër që të thyejë pengesat kulturore dhe të traditave.

Top Channel