Prej disa ditësh bashkia e Tiranës nuk lejon romët të mbledhin mbetjet plastike dhe kanaçet e pijeve në kazanët e mbeturinave në qytet, duke iu sekuestruar karrocat dhe duke shkatërruar një qendër grumbullimi.

Të revoltuar, pasi e kanë të vetmen mënyrë për të nxjerrë të ardhura, romët kërkojnë që t’u kthehen karrocat e marra dhe të lejohen të tregtojnë kanaçet pasi nuk kanë tjetër mundësi punësimi.

“Sot e 20 vjet që merrem me këtë punë. Në familje jam veti i nëntë, pa ndihmë sociale dhe ushqehemi me mbeturinat. Bashkia vjen më merr karrocën dhe më bën presion”, denoncon një prej banorëve të komunitetit rom.

“Të vijnë të na rrafin, të na marrin lekët… Ku të shkoj, kam tetë fëmijë”, tregon një tjetër.

“Të kapen ata që bëjnë pislliqe më të mëdha dhe jo ne që merremi me plehrat. Ç’të keqe ka bashkia nga plehrat? S’kam ku të çoj fëmijët, t’i vë të flenë tek bashkia? Apo t’i çoj kot me ndonjë pallat”, shprehet një tjetër.

Në protestën e tyre romët janë mbështetur nga këshilltarët socialistë Aldrin Dalipi, Gent Gazheli e Florian Pullazi, të cilët spjegojnë se përfshirja e romëve në këtë aktivitet është projekt i ambasadave të hauja në bashkinë e Korçës dhe Tiranës që ka nisur prej tre vitesh për t’i integruar ata në jetën sociale.

Ndërkohë që Dalipi akuzon bashkinë për prapaskena mafioze në ngritjen e një monopoli që po merret me grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.

Dalipi tha se janë mbui 30 mijë romë që mbijetojnë vetëm me mbeturinat dhe tashmë jeta e tyre duhet të bëhet edhe më e vështirë.

“Janë mbi 30 mijë persona që do mbeten pa bukën e gojës. Kemi marrë hapat e duhur, kemi shkuar tek Avokati i Popullit dhe do vëmë në dijeni edhe ambasadat. Kjo, pasi problemi i romëve është një nga 12 prioritetet e BE. Problemi tjetër është se ka një prapaskenë të tipit mafioz. Po ngrihet një monopol për t’ju hequr juve të drejtën për të ardhura minimale dhe ta marrë atë një dorë e vetme për të kryer këtë biznes”, u ka thënë Dalipi romëve.

Këshilltarët socialistë i premtuan familjeve rome se do të ndjekin këtë çështje në të gjitha instancat, pasi bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të tyre, kur kjo radhitet ndër 12 prioritet e integrimit në BE.

Top Channel