Imami: Jo kontroll në Ministri

12/07/2012 00:00

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se deputetet e opozitës nuk do
të lejohen të ushtrojnë kontroll në këtë Ministri, duke e krahasuar
kete me kontrollin punetor te kohes se komunizmit.

Opozita vazhdon të akuzoje për trafik armësh dhe përdorimit të Sherbimit Sekret të Ushtrise për pergjime antikushtetuese.

Gramoz Ruçi: Ka mbi 3 javë që një Komision i këtij parlamenti për dy çështje shumë të rëndësishme, siç është përgjimi i opozitës dhe i diplomatëve dhe sic është trafiku i armëve nga Ministria e Mbrojtjes dhe kundërshtohet vendimi i Komisionit Parlamentar për të bërë kontrollin civil mbi ekzekutivin. Dhe ju (Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli) duhet të ndërhyni. Duhet të ndërhyni me urgjencë, se ky është përdhunim i parlamentarizimit, i një vendi që është anëtar i NATO-s dhe institucioni i Ministrisë së një vendi anëtar të NATO-s bën përgjime opozitarësh dhe diplomatësh, i një vendi të NATO-s që bën trafik armësh, i një vendi që aspiron për të marrë ftesën në vjeshtë dhe mungon kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin. Prandaj në këtu jemi opozitë për të trajtuar këto çështje, për të përmbushur si rolin tonë si parlamentarë dhe si opozitarë, por edhe juve (Topalli) duhet të ushtroni të gjitha atributet tuaja kushtetuese dhe parlamentare, që ministrat të përmbushin rolin e tyre, si zoti Olldashi ashtu edhe zoti Imami.

Ministri Imami: Kontrolli parlamentar është një nga shtyllat e punës së këtij parlamenti dhe askush nuk mund të mendojë t’i shpëtojë kontrollit parlamentar. Nuk do të ketë kontroll punëtor, fshatar në asnjë shumicë dhe në asnjë opozitë në Shqipëri. Shqipëria është një vend demokratik ku sundon procedura. Në mënyrë të vijueshme, Komisioni Parlamentar e ka ushtruar detyrën dhe kam patur gatishmërinë e plotë në respekt të funksionit të Parlamentit dhe të atij Komisioni dhe të deputetëve të të gjitha partive, që të raportoj në vijimësi për të gjitha problematikat e këtij Komisioni. Po ashtu sikurse jam përgjigjur me shkrim, pyetjeve të veçanta të kryetarit të grupit socialist, të nënkryetarit të grupit socialist, të anëtarëve socialistë të këtij Komisioni.Por nuk mund të ndërtohet ndryshe kontrolli përvecse mbi bazën e procedurave, mbi bazën e vendimeve. Nëse disa deputetë, qofshin këta edhe demokratë nesër në mëngjes do të dëshirojnë të ushtrojnë kontroll në Ministri kjo është një praktikë antikushtetuese. Akuzat e tjera për përgjime dhe trafik armësh janë foshnjore. Gjeni mjetet legale dhe jam i gatshëm të jap përgjigje për çdo element.Ka një zgjidhje serioze dhe përfundimtare që do të duhet të merret në këtë vend. Të ndërtohet një nënkomision i posaçëm brenda Komisionit të Sigurisë me tre-katër personalitete që kanë punuar në këtë fushë, që betohen për sekretin shtetëror, të cilët do të mund të kontrollojnë çdo gjë që ka në Ministrinë e Mbrojtjes. Përndryshe edhe Komisioni Parlamentar nuk mund të kontrollojë gjithcka dhe për këtë janë të vetëdijshëm ata njerëz që e shohin në mënyrë serioze politikën.

Rama: Imami i lidhur me përgjimet e opozitës

Kryetari i Partisë Socialiste ka reaguar përmes Twitter-it lidhur me vendimin e Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami për të mos lejuar kontrollin e opozitës në dikasterin që ai drejton.

Rama thotë se Ministri i Mbrojtjes aktron keq për të mbuluar pisllëkun politik e financiar të institucionit ku bëhen përgjime e trafiqe të paligjshme. Kreu i socialistë akuzon ministrin Imami se edhe ai vetë është i përfshirë në atë që opozita e quan përgjim të saj. Por veç opozitës, Rama thotë se viktima të përgjimeve kanë qenë edhe diplomatë të huaj.

“Moslejimi i kontrollit parlamentar të opozitës dhe sulmet banale ndaj saj janë përpjekje të kota për të fshehur atë që tanimë është zbuluar”, shkruan Rama.

Top Channel