Nënsekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon ka deklaruar se Serbia, pavarësisht se nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duhet të fillojë të pranojë realitetin e ri të krijuar në këtë vend.

Duke folur nga samiti i Dubrovnikut, Gordon ka nënvizuar se Kosova tashmë është një shtet konkret ka përjashtuar opsionin për ndarjen e saj.

“As ne, as Bashkimi Evropian nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën në këtë pikë. Ajo nuk do ta bëjë këtë. Megjithatë, Serbia duhet të kuptojë realitetin se Kosova është një vend demokratik, sovran, i pavarur e multietnik brenda kufijve aktualë. Ndarja e saj nuk është opsion“, ka deklaruar Gordon.

Duke shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj aspiratave integruese të Kosovës dhe Serbisë, Gordon ka kërkuar nga kjo e fundit që të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Beogradi duhet t’i japë fund mbështetjes së strukturave ilegale të sigurisë dhe drejtësisë në veri të Kosovës dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë”, ka pohuar Gordon.

Numri dy i Departamentit amerikan të Shtetit javën e ardhshme do të udhëtojë fillimisht për në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ku do të takohet me krerët më të lartë të dy vendeve.

Top Channel