Vajza e ikonës së luftës kundër aparteitit në Afrikën e Jugut, Nelson Mandelës, u emërua ambasadore e vendit në Argjentinë.
Zenani Mandela-Dlamini është vajza e parë e ish-presidentit, e lindur nga martesa me Winnie Madikizela-Mandela.
Buenos Airesi zyrtar reagoi pozitivisht ndaj këtij emërimi, duke thënë se vendosja e saj në Argjentinë rrit rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe.
53-vjeçarja Dlamini ishte ende një fëmijë kur babai i saj u burgos me 27 vjet heqje lirie pasi sfidoi qeverinë e ushëhequr vetëm nga afrikanojugorë të bardhë.
Ajo nuk u lejua që të vizitonte të atin në burg për vite me radhë, deri sa mbushi 16 vjeç. E diplomuar nga Universiteti i Bostonit, Mandela-Dlamini u martua shkurtimisht vite më parë me një princ nga Zvazilandi.
Mandela u shndërrua në presidentin e parë me ngjyrë në Afrikën e Jugut dhe për luftën që udhëhoqi për të drejta të barabarta, ai konsiderohet si një hero kombëtar nga shumë afrikanojugorë.
Fitues i çmimit Nobel për Paqen, 94-vjeçari Mandela është tërhequr nga jeta publike tetë vjet më parë për shkak të problemeve të tij shëndetësore dhe paraqitja e tij e fundit në publik daton në vitin 2010, gjatë Botërorit të Afrikës së Jugut.
Argjentina dhe Afrika e Jugut kanë marrëdhënie të ngushta ekonomike, me një volum tregëtar prej më shumë se 1,5 miliardë eurosh në vit.
Top Channel