Në teatrin “La Scala” të Milanos, do të vazhdojë deri më 7 korrik shfaqja e operas Manon, vepra e njohur e francezit Jules Massenet, që këtë herë ka në rolin kryesor sopranon Ermonela Jaho, e cila tanimë radhitet mes yjeve të lirikës botërore.

Në këtë rol të parë, si protagoniste në skenën e vështirë të atij që konsiderohet tempulli i muzikes lirike, artistja shqiptare konfirmoi dhe një herë talentin dhe nivelin e saj artistik.

Që në premierë, publiku i “La Scalës”, i njohur për ftohtesine dhe sqimën, priti me ngrohtësi të rrallë Ermonelen.

Dëshmi për këtë qenë mbi tetë minutat duartrokitje në përfundim të një opere tepër të vështirë dhe të lodhshme. Ajo zgjat tre orë e 40 minuta dhe protagonistja është gati pa pushim në skenë.

E me kalimin e ditëve, ngrohtësisë së publikut iu shtua ajo e kritikës, si në shtypin e specializuar ashtu dhe nga televizionet, si “Rai” që në reportazhin e vet ngre në qiell sopranon shqiptare.

Lëvdata për zërin, interpretimin, por edhe për lëvizjet dhe prezencën skenike. Ermonela Jaho tanime nuk diskutohet më ajo thjesht adhurohet nga artdashesit.

Jo mëkot poeti Khalil Gibran shkruante se sekreti i kantos qëdron mes vibrimit të zërit të atij që kendon dhe rrahjes së zemrës së atij që dëgjon.

Top Channel