Pas kërkesës së ripërsëritur për transparencë nga ana Ministrisë së Mbrojtjes, një grup i deputetëve të opozitës, të Komisionit të Sigurisë kanë rënë parimisht dakort që të njihen me një sërë dokumentash të veprimtarisë së këtij dikasteri.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie paraditen e së martës, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni informoi për mediat se nga data 8 korrik deri në fund të tetorit deputetëve do t’u vihet në dispozicion dokumentacioni i veprimtarisë së SHIU-t, shitjet e armëve, mënyra e dhënies së gradave apo përdorimi i fondeve të buxhetit.

“Ne do të përpiqemi dhe do të flasim me dokumenta pasi të verifikojmë në vend të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, për hyrjet-daljet, shitjet e armëve, apo qoftë edhe blerjet e dyshimta për të cilat ne kemi informacion por që ka nevojë për t’u verifikuar dhe që nuk mund të publikohen në publik për momentin. Të paktën ky miratim që na u dha sot, të mos jetë vetëm për të fituar kohë, por të jetë një shenjë për bashkëpunim apo thirrje arsyes apo logjikës për të respektuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, deklaroi Ilir Gjoni, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Deputeti i opozitës u shpreh se ndaj Ministrit të Mbrojtjes, kreu i qeverisë duhet të kishte marrë masa për shkarkimin e tij muaj më parë, kur Imami emëroi dhe shkarkoi gjeneralë duke cënuar rëndë ligjin.

“Do t’u sjell vetëm rastin e gradave dhe deklaratën e tij në Komisionin e Sigurisë që cështja e gradimit dhe e çgradimit është një çështje diskrecioni. Mjaftonte kjo deklaratë për mua që kryeministri të merrte një masë ndaj këtij ministri”, shtoi deputeti Gjoni.

Top Channel