Berisha: Gati të takoj Ramën për reformat

02/07/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryetari i opozitës Edi Rama po
sulmon dhe demonizon kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben
Ristani, ndërkohë që e ka konsideruar këtë të fundit si një nga
personalitetet më të shquara dhe të ekuilibruara të vendit.

Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor, Berisha ftoi Ramën që të përfundojnë me konsensus punën për reformën zgjedhore dhe theksoi se është i gatshëm që të takohet me kreun e opozitës, në rast se ka dyshim tek ai, që Berisha e quajti, qendrim të sinqertë të mazhorancës.

“I bëj thirrje Ramës që të mbyllim reformat. Ne po kalojmë një proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe pavarësisht se nuk po arrijmë në një konkluzion konsensual, shpresoj që të ketë një vullnet të qartë pa ultimatume”, tha Berisha. Sipas kryeministrit, ultimatumi është mekanizmi i bllokimit të konsensusit, ndërsa theksoi se mazhoranca në Komisionin e Reformës Zgjedhore ka pranuar iniciativat dhe propozimet e opozitës.

“Ne i vlerësojmë propozimet që ata kanë paraqitur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe shpresojmë që me propozime të reja të dy palët të arrijnë në përfundimin sa më të shpejtë brenda afatit të caktuar dhe votimit në Parlament”, tha Berisha.

Top Channel