Enti Rregullator i Energjisë elektrike vendosi të ulë cmimin me të cilin KESH furnizon me energji kompaninë e shpërndarjes CEZ.

Sipas vendimit të bërë publik këtë të enjte, cmimi i ri me të cilin KESH do i shesë energji CEZ, zbret nga 2.83 lekë në 2.2 lekë për kilovat orë.

Kjo masë e Entit prek drejtëpërdrejtë financat e Korporatës publike të prodhimit të energjisë. Ulja e cmimit me 0.63 lekë për kilovat orë pakëson të ardhurat e KESH me rreth 3.3 miliardë lekë ose 33 milionë dollarë në vit.

Meqënëse cmimi fundor i energjisë për qytetarët dhe biznesin nuk ndryshon, këto para kalojnë si të ardhura për kompaninë ceke CEZ.

Kjo është ndër të paktat raste kur enti ndërhyn për të ndryshuar cmimet e energjisë në mes të vitit.

Tarifat ekzistuese ishin vendosur vetëm 6 muaj më parë, në dhjetor të vitit të kaluar. Në atë kohë enti vendosi të rrisë cmimin me të cilin KESH i shiste energji CEZ nga 1.48 në 2.83 lekë pa ndryshuar tarifat për konsumatorët final.

Ky vendim, nuk u mirëprit nga kompania ceke, e cila pretendonte se Enti nuk kishte njohur nivelin real të borxhit të keq.

Në bazë të modelit aktual të tregut energjetik, borxhi që konsiderohet si i humbur përfundimisht, njihet si kosto për kompaninë CEZ gjatë llogaritjes së tarifave të energjisë.  

CEZ ka pretenduar se borxhi i keq ishte të paktën mbi 2 pikë përqindje më i lartë se niveli zyrtar, dhe si argument për këtë ka patur një studim të kryer nga kompania deloitte. Por deri më tani ky pretendim gjithmonë ishte rrëzuar nga qeveria shqiptare dhe enti rregull8ator i energjisë.

Konflikti mes palëve, që vazhdonte prej gati dy vjetësh arriti kulmin në prill të këtij viti kur në Tiranë mbërriti kryeministri cek Petër Necash. Problemet e CEZ në Shqipëri ishin një nga temat kryesore të bisedës së tij me kryeministrin Berisha dhe pas takimit të dy kryeministrat premtuan një zgjidhje ligjore.

Rreth dy muaj më vonë, enti zyrtarizoi vendimin për të njohur borxhin e keq sipas variantit të CEZ, cka coi automatikisht në rritjen e cmimit që përfiton kompania ceke, por duke rënduar financat e KESH, e cila mund të detyrohet sërish të kërkojë para nga qeveria për importin e energjisë.

Top Channel