Në kontaktet e përditshme me punën apo shoqërinë takohemi me shumë njerëz. Flasim, diskutojmë dhe i japim zgjidhje probleme që kemi, madje nënshkruajmë edhe kontrata.

Por, në fund të bisedës, kur gjithçka është zgjidhur, kurioziteti na shtyn të pyesim për origjinën. Ndodh që të dalim të njohur, madje që kemi edhe lidhje gjaku.

Ditën e enjte, emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” vendosi në fokus pikërisht raportin midis kushërinjve në kohët e sotme dhe përse për shumicën e shqiptarëve, lidhjet familjare kanë ardhur në dobësim të vazhdueshëm.

Largësia nga njëri qytet në tjetrin, angazhimet e përditshme, por edhe emigracioni mendohen si arsyet kryesore që sjellin ftohje të marrëdhënieve shoqërore me kushërinjtë dhe kushërinjtë tanë. Për të folur rreth fenomenit, ishte i ftuar në ekranin e “Top-Channel” sociologu Lekë Sokoli dhe pedagogia e emigrimit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Eda Baka.

“Individualizmi është tjetër tani në raport me 2-3 dekada më parë dhe në këtë periudhë kanë ndrushuar shumë gjëra. Deri përpara vitit 1990 kishim shumë gjëra të qarta, njerëzit afër nesh ishin njerëz me lidhje gjaku, ndërsa tani janë shembur komunitetet tradicionale dhe njerëzit janë vënë në kërkim të një stili tjetër jetese, siç e shpjegon edhe emigracioni ndërkombëtar apo migrimi i brendshëm, përgjegjës kryesor për shkëputjen e lidhjeve tradicionale”, vlerësoi Sokoli.

Pikërisht tek emigracioni u përqëndrua në interpretimin e saj edhe pedagogia Eda Baka. “Që prej ndryshimit të sistemeve mbas vitit 1990, në Shqipëri janë larguar shumë emigrantë që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë territorit. Kjo bën që marrëdhënia midis kushërinjve të ndryshojë, duke krijuar një raport të ri në distancë. Ditët e sotme, është më e zakonshme që midis kushërinjve të takohen në festa familjare, në dasma, ndërrime vitesh apo të tjera si këto, ndërsa bëhet gjithmonë e më i rrallë takimi i vullnetshëm, pra pa ndonjë arsye të caktuar”, argumentoi Baka.

Në vazhdim të kësaj bisede, zoti Sokoli u shpreh se nuk është vetëm largësia ajo që sjell këtë ftohje. “Arsyet janë të shumta, pasi jetojmë në një kohë në të cilën është shumë e lehtë të ruash kontakte nëse dëshiron. Ftohja ndikon kryesisht me vetë mënyrën e jetesës, që tani është më organike dhe jo tradicionale. Stili i ri i jetesës ka sjellë përçarje pronësie, përplasje interesash dhe kryesisht, bëhemi me ata të afërm që na lidhin edhe interesa të tjerë veç lidhjeve të gjakut, sepse vetë shoqëria e sotme është e vendosur mbi interesin e përbashkët. Kjo nuk ndodh vetëm midis kushërinjve, por edhe midis motrës dhe vëllait, që shpesh kanë marrëdhëniet problematike, pasi nuk ushqehen si duhet midis tyre”.

Për shkak të dobësimit të marrëdhënieve familjare, së fundmi janë regjistruar edhe episode aspak të këndshme të incestit. “Fatkeqësisht, ka pasur raste që persona të jenë përfshirë në marrëdhënie seksuale apo romantike pa e ditur që ata janë të lidhur me lidhje gjaku. Tek kodi i familjes është diskutuar edhe kufiri ku shkon ndalesa ligjore në marrëdhëniet për të njohur martesën dhe kjo është fleksibël në varësi të shteteve. Në Shqipëri ndalohet deri në brezin e dytë. Besoj se incest klasik, nga ai me vetëdije, ka shumë raste, shumë më tepër nga sa mendohet, edhe pse është i kamufltuar”, vlerësoi sociologu Sokoli.

Nga ana e saj, Baka gjithashtu pranoi ekzistencën e lidhjeve të incestit, ndonëse nuk e konsideroi diçka të tillë si një rrezik imediat për shoqërinë shqiptare. “Për brezin tonë, ata që kanë lindur në vitet 1970-80, por edhe për breznitë e tjera, marrëdhëniet me njerëz me lidhje gjaku janë konsideruar një tabu dhe deri diku ka qenë e pamendueshme, pasi njiheshin të gjithë mes tyre. Mbiveshur me mendësi fetare, kulturore apo shëndetësore. Sot jeta ëstë shumë më dinamike, emocioni dhe ndienja janë vendosur përpara interesave të ndryshme dhe partnerët nuk interesohen shumëpër prejardhjen, por kjo ende është e rëndësishme për prindërit tanë, të cilët janë të mirëinformuar dhe pyesin gjithmonë nga është djali apo vajza, prandaj marrëdhëniet midis kushërinjve mbeten pothuajse të pamundura, të paktën për të ekzistuar e për t’u konkretizuar zyrtarisht”, përfundoi pedagogia.

Top Channel