Paris Saint Germain është i vendosur që të realizojë një goditje të madhe në merkaton verore, ndërsa vazhdon në projektin e financuar nga sheiku al-Khelaifi, që synon të shndërrojë klubin francez në një superfuqi të kontinentit.
Sipas asaj që raportoi të premten e përditshmja sportive franceze “L’Equipe”, i preferuari i trajnerit Carlo Ancelotti është pikërisht sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, rreth të cilit synonet të ndërtohet një skuadër në gjendje që të bëjë një përfaqësim dinjitoz në Champions League.
Sueduezi është për momentin në krye të listës së interesave të drejtorit të përgjithshëm sportive të parizienëve, Leonardos, i cili ka marrëdhënie të shkëlqyera me agjentin e 30-vjeçarit, Mino Raiola.
Ndonëse nuk ka shifra të konfirmuara, është e parashikueshme që suedezi do të joshet me një pagë edhe më të lartë se ajo që merr në “San Siro”, ku me 9 milionë euro në vit pagë është futbollisti më i paguar.
Sipas burimeve të shtypit italian, sulmuesi ka komunikuar së fundmi me francezin Mexes, një ish-futbollist parizien, për të mësuar më shumë rreth ambientit të “Parc des Princees”.
Ndërkohë, nga kryeqyteti francez janë përgënjeshtruar zërat për një marrëveshje me argjentinasin e Napolit, Ezequel Lavezzi. “Nuk ka asnjë marrëveshje. Të shohim çfarë do të ndodhë, por operacioni është shumë i ndërlikuar”, u shpreh Leonardo.
Top Channel