Lady Gaga, “non grata” në Indonezi

27/05/2012 10:45

Lady Gaga anulloi një koncert të planifikuar për datën 3 qershor në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, pasi policia nuk pranoi të merrte përsipër sigurinë e saj.

Aktualisht, vendi aziatik është përfshirë nga protesta të grupeve të ndryshme fetare dhe autoritetet nuk i dhanë leje Gagës të zhvillonte koncertin, pasi sipas muslimanëve që dominojnë vendin, shfaqjet e saj janë tepër vulgare.

Fronti i Mbrojtjes së Islamit, një grup radikal, kishte shkuar deri atje sa të kërcënonte Gagën me bllokimin e zbritjes së saj nga avioni.

Indonezia është zyrtarisht një shtet laik, por mbetet vendi me popullsinë më të madhe muslimane në botë.

Më shumë se 50 mijë bileta ishin shitur për evenimentin.

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja nuk mikpritet gjatë turit të saj aziatik. Koncerti i saj në Korenë e Jugut në prill u lejua vetëm për të rritur, pas protestave të organizatave të krishtere.

Top Channel