Ish-i i Hathaway lirohet nga burgu

24/05/2012 18:20

Katër vjet më parë, Raffaello Follieri i kishte të gjitha, investime me vlera disa milionë dollarë, akses në qarqet e brendshme të ish-presidentit Bill Clinton dhe aktoren hollivudiane Anne Hathaway në duart e tij.

Megjithatë, sipërmarrësi 34-vjeçar përballet tani me mundësinë e dërgimit në Itali pa të drejtë kthimi pas dhe me një reputacion të njollosur për të gjithë jetën e mbetur.

Follieri ka kaluar katër vitet e fundit në një burg federal në SHBA, pasi pranoi akuzat për mashtrim financiar dhe pastrim parash në tetor 2008.

Akuza vërtetoi se gjatë një periudhe disa-vjeçare, ai grumbulloi më shumë se 3,6 milionë dollarë për të financuar jetën e tij luksoze, duke iu prezantuar investitorëve si një i dërguar i Vatikanit, në disa projekte të “financuara” nga Selia e Shenjtë.

Burgosja e Follierit, i cili u bë i njohur në mediat rozë pas pushimeve luksoze që kaloi me Hathaway në Republikën Domenikane në vitin 2006, tronditi dukshëm aktoren ne ate kohe.

Megjithatë, ajo ka deklaruar më parë se tashmë historia me mashtruesin italian është tërësisht e mbyllur dhe se nuk ka ndërmend ta kontaktojë pas lirimit nga burgu.

Aktualisht, Hathaway është e lidhur me projektuesin e bizhuterive, Adam Shulman. Nëse premtimi për të mos takuar kurrë më ish-të dashurin e saj do të rezultojë i vërtetë, këtë do ta tregojë vetëm koha.

Top Channel