Dy studentet nisen drejt Austrisë

24/05/2012 00:00

Dy pacientët Florije Peci dhe Eriselda Gubere të cilat ishin në gjendje më të rëndë shëndetësore janë nisur drejt dy klinikave në Austri për një trajtim më të specializuar mjekësor.

Rreth orës 17:00 avioni sanitar i përshtatshëm për transportin e tyre, me një staf mjekësh austriakë në bord ka fluturuar  nga Aeroporti Ndërkombëtarë i Tiranës drejt Austrisë.

“Ekipi mjekësor pasi bëri verifikimet e fundit lejoi udhëtimin e tyre drejt Austrisë në dy spitalet të cilat morën përsipër të vazhdojnë trajtimin e tyre, të dy rasteve që janë vërtet problematike. Sigurisht ky operacion shumë i komplikuar, jo vetëm mjekësor, por edhe logjistik, u bë i mundur falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm, në mënyrë të vecantë me ambasadorin e Austrisë, zotin Florian Rauing”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ambasadën austriake dhe Raiffeisen Bank mundësoi në një kohë të shkurtër transportin  akomdimin e dy vajzave në klinikat e Austrisë.

“Problemi më i madh ishte që të gjejmë spitalet që përshtaten tamam për specialitetet që dy vajzat kanë nevojë, plus që këto dy spitale kanë vende të lira”, tha ambasadori austriak, Florian Raunig.

Ministria e Shëndetësisë thotë se do jetë në kontakt të vazhdueshëm me dy klinikat e huaja për të mësuar mbi ecurinë e gjendjes së tyre shëndetësore.

Top Channel