Asnjë prej boceteve të 20 artistëve që morën pjesë në konkursin e çelur për realizimin e shtatores së Ismail Qemalit që do të vendoset në kryeqytet, në këtë 100-vjetor të pavarësimit të vendit, nuk ka qenë i denjë.

Ky qe vendimi i jurisë së ngritur për konkursin e 3 monumenteve/shtatore të 3 figurave historike, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, njëherazi pjesë e jurisë, Rubens Shima flet për një paraqitje aspak serioze të artistëve, të cilët nuk e kanë konsideruar figurën e njeriut që shpalli pavarësinë në tërë dimensionin e saj, por kanë nxituar të realizojnë një shtatore për të qenë pjesë e këtij konkursi.

“Problematikat që shfaq konkursi për shtatoren e Ismail Qemalit janë konkretisht tre. E para është mosnjohja e personazhit historik, e fizionomisë së tij. Vihet re moskonsultimi me rekuizitat. Ajo që vihet edhe tek ata artistë që kanë dashura të paraqesin Ismail Qemalin ulur në një poltronë apo një karrige, janë ngatërruar duke sjellë karrige të lloj lloj stileve”, shprehu hapur kritikat e tij Rubens Shima, drejtori i Galetisë Kombëtare të Arteve.

“Nuk kanë marrë mundimin as të konsultohet me historianë, por as të shkojnë të vizitojnë shtëpinë e shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Nuk janë konsultuar as me materialin fotografik që rezulton i bollshëm. Mendoj se është një punë e bërë në shpejtësi. Ajo që është shqetësuese, është edhe një lloj lëshimi nga ana profesionale. Pra, ka figura që me zor rinë në këmbë dhe që janë kthyer në qesharake”.

Megjithatë, juria ka përzgjedhur pesë ndër skulptorët pjesëmarrës, që në një fazë të dytë të paraqesin punime të tjera për të garuar edhe një herë mes tyre për shtatoren e Ismail Qemalit. Ata janë skupltorët Ilirjan Shima, Pjerin Kolnikaj, Idriz Ballani, Ardian Pepa dhe Veli Blakçori.

“Për mua personalisht, por besoj edhe për jurinë, e rëndësishme është që të jetë një shtatore shumë e mirë. Në këtë aspekt, afatet kohore nuk kanë një rëndësi parësore. Duhet të jetë një shtatore që sjell me vërtetësi, bashkuara me vlerat artistike, personazhin konkret historik të Ismail Qemalit”, shtoi Shima.

Ndërkaq, për monumentet kushtuar figurave të Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës juria mori vendimin, të cilin ia ka përcjellë Komisionit Ndërministror për Festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe nga ky komision do të bëhet shpallja publike të fituesve të konkursit.

Top Channel