Në prani të dhjetra qytetarëve, politikanëve, përfaqësuesve të botës akademike dhe asaj universitare nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, ambasadorëve dhe drejtuesve të Top Media-s, të premten në Tetovë është përuruar në mënyrë solemne rruga “Dritan Hoxha”.

Duke i’u drejtuar të pranishmive, kryetari i Komunës së Tetovës, zoti Sadi Bexheti tha se Tetova ka nderin që një rrugë e saj të mbajë emrin e Dritan Hoxhës në shenjë nderimi dhe respekti ndaj figurës së themeluesit të Top Medias, për kontributin e jashtëzakonshëm qe ai dha për bashkimin e gjithë shqiptarëve.

Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës:

“Dritan Hoxha ishte dhe do të mbetet në botën mediale shqiptare, njeriu që i tejkaloi skemat e ngurta, që iu dha shqiptarëve formatet më të avancuara mediave, duke investuar në teknologji moderne dhe programe televizive që do t’u përgjigjen pritjeve të shqiptarëve në të gjitha hapësirat. Dritan Hoxha i dha botës mediale shqiptare forcën e shpirtit të tij novator, aspiratën e padiskutueshme të konkurrencës kreative dhe vizionin e një televizioni gjithë shqiptar. Tetova ka nderin dhe privilegjin që një rrugë të mbajë merin e tij në shenjë nderimi dhe respekti ndaj figurës së presidentit të Top Medias, për përkushtimin e tij, për zhvillimin e medias shqiptare si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm për bashkimin e gjithë shqiptarëve”.

Presidentja e Top Medias, zonja Vjollca Hoxha falënderoi drejtuesit e komunës së Tetovës për vlerësimin që i kanë bërë figurës së Tanit. Zonja Hoxha tha se satisfaksioni më i madh i Dritan Hoxhës ishte që t’i shihte shqiptarët të bashkuar.

Znj. Vjollca Hoxha, presidente e Top Media:

“10 vjet më parë të gjithë ëndërronim që shqiptarët të bëheshin një, të gjithë ëndërronim bashkimin në të gjitha trojet por pak kush e imagjinote që të gjithë ne do të bëheshim bashkë në Shqipëri, Kosovë dhe këtu në Maqedoni, thjesht dhe vetëm përmes një sinjali dhe një ideje. Tani krijoi televizonin në shërbim të njerëzve prandaj tashmë është shndërruar në një pasuri publike të të gjithë shqiptarëve kudo, në Tetovë, Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Tiranë, Sarandë dhe gjithadej ku shqiptarët jetojnë. Tani pati ëndrrën dhe vizionin se bashkimi kulturor I shqiptarëve është gjithmonë ai që u paraprin ngjarjeve të mëdha, bashkimit politik dhe cdo bashkimi tjetër. Dhe asnjëherë nuk u dorëzua dhe kur ndonjëherë kur jeta dukej e vështirë dhe ëndrra dukej e largët. Sot Top Channel, Top Albanian Radio, DigitAlb, ndiqen kudo në Maqedoni, ndiqen në Kosovë dhe kudo që ka shqiptarë, ky është satisfaksuioni më i madh që ai mori dhe ky nderim që i bëni ju Dritan Hoxhës, është kënaqësia më e madhe që unë marr prej jush sot këtu.

Më tej, kryetari i Komunës Sadi Bexheti dhe presidentja e Top Medias Vjollca Hoxha, kanë zbuluar pllakën me emrin e Dritan Hoxhës që do të mbajë kjo rrugë në të ardhmen ne qytet dhe me pas të gjithë të pranishmit bënë një parakalim nëpër rrugën “Dritan Hoxha” në Tetovë.

Duke komentuar këtë ngjarje, ambasadori shqiptar në Shkup, zoti Arben Cejku, tha se vlerësimi që i bëhet Tanit në Tetovë është një vlërësim që i bëhet të gjithë atyre që mendojnë dhe punojnë për interes te shqitparëve kudoqë janë.

Arben Cejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni:

“Nuk është thjesht një vlerësim për kontributin mediatik që jep Top Channel, por është një vlerësim që shqiptarët në Maqedoni i japin për cdo kontribut që jep Shqipëria dhe një nga kontributet më të mëdha, sigurisht që është kontributi mediatik, Top Channel dhe mediat tjera, sigurisht janë gjithnjë e më tepër present në Maqedoni dhe luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e politikë-bërjes së përditshme dhe përfaqësimin e interesave të tyre. Dua të theksoj se me kamerën tuaj sidomos këtu në Maqedoni kemi identifikuar probleme dhe kemi paraqitur shqetësime të cilat janë përkhrah shqetësimeve të komunitetit shqiptarë këtu. Vlerësimi që i bëhet me emërimin e rrugës “Dritan Hoxha” është një vlerësim për kontribuitn e të gjithë atyre që mendojnë dhe punojnë për interest e shqiptarëve kudo që janë”.

Emërtimi i një rruge me emrin e Dritan Hoxhës, sipas deputetit të Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Aliu, është me e pakta që Tetova mund të bëjë për Tanin, per kontributin e tij te madh per shqiptaret.

Imer Aliu, deputet i PDSH-së:

“Dritan Hoxha dhe Top Channel, për shqiptarët e Maqedonisë është shumë më tepër se sa një televizon, është shumë më tepër se një medium dhe ka luajtur rolin e një përkrahje institucionale të munguar nga shteti amë. U ka paraprirë proceseve dhe sigurisht se ndikimi është më tepër se informativ, ndikimi është kulturor, gjuhësor dhe ka ardhur në një periudhë kohore kur shqiptarëve të Maqedonisë u është nevojitur më së tepërmi. Emërtimi i një rruge është ajo që më së paku ne mund të bëjmë për Dritan Hoxhën për një njeri, një kolos siç ishte Tani”.

Të pranishem në ceremoni, deputetët e Komisionit të Medias nga Shqipëria që morën falënderimet në Komunën e Tetovës, për këtë nder që i kanë bërë një emri të madh të medias shqiptare, Dritan Hoxhës. Valentina Leskaj tha se vepra e Tanit jo vetëm që bashkoi shqiptarët por ndikoi edhe në emancipimin e tyre.

Valentina Leskaj, Kryetare e Komisionit të Medias, PS:

“Së pari dua të falënderoj kryetarin e Komunës së Tetovës si dhe duke falënderuar gjithë Këshillin e Komunës së Tetovës, për këtë nder që i kanë bërë një emri të madh të medias shqiptare, emrit të Dritan Hoxhës, i cili është nga njerëzit që ka investuar jo thjesht paratë, teknologjinë, por ka investuar një vizion, koncept dhe e ka vënë, Top Channelin në avangardë të medias shqiptare. Padyshim që unë cmoj faktin që Këshilli i Komunës së Tetovës, ka vlerësuar kontributin e madh të Dritan Hoxhës për shqpëtarët në të gjitha anët, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri dhe ka shkurtuar urat e komunikimit dhe besoj që ka dhënë një kontribut të madh jo thjesht vetëm për të na bashkuar, por edhe për të na emancipuar dhe për t’i kontribuar cështjes shqiptare. Ai ka qenë një shqiptar i vërtetë”.

Deputeti i PD-së Mark Maku, vlerëson se Tani ndikoi në unifikimin e kulturës shqiptare përmes medias, ndërsa tha se kjo është fusha e vetme ku komunikimi ndërshqiptar arrihet në mënyrë efikase.

Mark Marku, deputet i PD-së:  

“Mendoj që fakti që një rruge në Tetovë i jepet emri i Dritan Hoxhës, që është një nga pronarët e mediave më të rëndësishme që në një farë mënyre është mirënjohje për kontributin që mediat televizive kanë dhënë për unifikimin e hapësirës kulturore të shqiptarëve. Mendoj që kjo është shumë e rëndësishme sepse për herë të parë në historinë e shqiptarëve hapësira kulturore unifikohet në kuptimin që bëhet një hapësirë e qarkullimit të lirë të informacioneve, një hapërisë ku qytetarët komunikojnë lirëshëm me njëri-tjetrin dhe normalisht që ky është një kontribut i madh sepse ndoshta është fusha e vetme ku komunikimi ndërshqiptar arrihet në mënryë efikase, moderne dhe përmes investimeve teknologjike. Vendosja e emrit të Dritan Hoxhës është pikërisht për kontributin që Top Channel ka dhënë për këtë unfikimin dhe për krijimin e kësaj hapësire të përbashkët shqiptare”.

Alfred Dalipi, deputet i PS:

“Cdo person, cdo individ që arrin të kontribuojë në një fushë për të bashkuar gjithë shqiptarët, për të bashkuar jo gjeografikisht shqiptarët, por për t’i bashkuar ata shpirtërisht arrin që të marrë mirënjohje. Emri i një rruge këtu në Tetovë, duke nderuar Dritan Hoxhën dhe kontributin e tij në media, është një vlerësim për kontributin që vetë Tani ka dhënë dhe për të bashkuar shqiptarët përtej kufirit, për të bashkuar mendjet e tyre, zemrat e tyre, është një kontribut që Tani nuk arriti sot ta përjetojë, por ne të gjithë e nderojmë dhe e kujtojmë atë për veprën që ai me median e vet arriti të bashkojë shpirtërisht trevat kudo që janë Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri”.

Më 29 mars të këtij viti, me propozim të kryetarit të Komunës Sadi Bexheti, këshilli komunal më shumicë votash solli vendim që rruga 117 në Tetovë në të ardhmen të mbaj emrin “Dritan Hoxha”.

Kjo është rruga e tretë që mban emrin e Dritan Hoxhës në hapësirën mbarëshqiptare. Nderimin e parë, ia bëri qyteti i Tiranës, duke emërtuar një rrugë të rëndësishme të tij me emrin Dritan Hoxha.

Disa muaj më pare, edhe Komuna e Prishtinës vendosi që të emërtojë një rrugë në kryeqytetin e Kosovës me emrin Dritan Hoxha, pikërisht në shenjë nderimi, respekti dhe vlerësimi për kontributin e Tanit në bashkimin kulturor të shqiptarëve.

Top Channel