Gjirokastër, godinat rrezikohen nga zjarri

26/04/2012 00:00

Dhjetëra stacione hidrantesh jashtë funksionit, mbi 100 godina të
rrënuara, rrugët e ngushta dhe parkimet pa kriter vlerësohet se do të
përbëjnë sfidat kryesore të reparteve zjarrfikëse gjatë sezonit të
zjarreve në zonën muzeale në Gjirokastër.

Sokol Karaulli, shef i shërbimit zjarrfikës thotë se janë duke u përgatitur për sezonin dhe se për evidentimin e zjarreve institucione të tjera si Drejtoria e Monumenteve, ndërmarrja e ujëesjellësit dhe policia e qarkullimit duhet të përfshihen për të marrë rolet respektive.

Karaulli thotë se për herë të parë këtë vit po kryhet edhe një inventarizim i sterave dhe musllukëve të ujit në të gjithë zonën karakteristike për t’i përdorur në rast emergjence. Vetëm gjatë vitit të kaluar zjarrfikësve ju është dashur të merren me më shumë se 15 zjarre në banesa dhe godina të braktisuara në pjesën e vjetër të qytetit. Zjarri i fundit vetëm 2 javë më parë shkatërroi shtëpinë e Hadërjave, monument kulture i kategorisë së parë, ndërsa kërcënoi seriozisht të gjitha banesat përreth.

Top Channel