Halimi: Do të kompensojmë 100 për qind pronarët

18/04/2012 00:00

Në tryezën ku u prezantua draft strategjia për reformën në fushën e të
drejtave të pronësisë, Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi deklaroi se
janë dhënë leje legalizimi për 52 mijë pasuri tashmë të përfshira në
sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Ndërsa janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit edhe 100 mijë pasuri të tjera informale.

“Janë miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit 127 zona dhe vendbanime informale që përfshijnë rreth 120 mijë pasuri. Janë miratuar në Këshillat Vendore të Rregullimit të Territorit rreth 80 mijë ndërtime informale, të përfshira në bllok-banime informale apo të ndërtuara si ndërtime të veçanta. Megjithatë ligjërimi nuk ka përfunduar ende për rreth 90 mijë pasuri, më pas drejtori i ALUIZN-it do na informojë më hollësisht për gjendjen”, tha Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.

Por kreu i shoqatës Pronësi dhe Drejtësi, Agim Toro u shpreh se për hartimin e kësaj strategjie duhet të ishin kërkuar edhe konsulta me aktorë të tjerë.

“Kjo strategji duhej të arrihej në bashkëpunim të ngushtë me ne, në këtë aspekt ne do të bëjmë një studim të plotë dhe do të dalim me konkluzione sepse kemi shumë rezerva”, tha Toro.

Zoti Toro u shpreh i rezervuar edhe për ALUIZN-in dhe pwër kompensimin e pronarëve të shpronësuar.

“Përsa i përket ALUIZN-it, ne mendojmë që deri më sot realizimi i kompensimit të subjekteve që shpronësohen për efekt të realizimit të legalizimit është thuajse në shifrat zero”, u shpreh Agim Toro, kryetar i shoqatës, Pronësi me Drejtësi.

“Ne do të përmbyllim me doemos brenda vitit 2013, procesin e legalizimit”, deklaroi Ardian Kollozi, ish-deputet i Qarkut të Vlorës.

Top Channel