Videoja e Mandi Nishtullës në gjendje të rënduar që tronditi rrjetin, Silva Gunbardhi flet për “Në shtëpinë tonë”

07/09/2026 13:13

E ftuar në nisje të sezonit të ri të emisionit “Në shtëpinë tonë” me Alban Musën, këngëtarja Silva Gunbardhi ka bërë një rrëfim të sinqertë për karrierën, familjen, miqësitë dhe momentet më të vështira që ka përjetuar ndër vite.

Artistja u ndal te fillimet e saj në muzikë, duke treguar se rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë. “Ishte e vështirë të çaje dikur. Rrija te shkallët e radios dhe më thoshin ‘kam punë’”, kujtoi ajo, duke folur për periudhën kur përpiqej të gjente hapësirat e para në muzikë.

Gjatë intervistës, Silva foli edhe për miqësitë që i kanë rezistuar kohës, duke veçuar Eranda Libohovën dhe Irini Qirjakon si dy prej mikeshave të saj më të afërta.

Këngëtarja u ndal edhe te një prej këngëve më të suksesshme të karrierës së saj, “Të ka lali shpirt”, duke bërë një deklaratë që ngjalli interes. “Nuk e kam gëzuar asnjëherë këngën ‘Të ka lali shpirt’”, u shpreh Silva Gunbardhi.

Artistja foli edhe për situata që e kanë lënduar ndër vite, veçanërisht për lajmet dhe komentet e pavërteta që kanë qarkulluar për të. “Askush nga gazetarët nuk tha më fal”, tha ajo.

Ndërkohë, nuk i “shpëtoi” as pyetjes së Albanit lidhur me videon e publikuar që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve, pasi në të shfaqet këngëtari Mandi i Nishtullës në një gjendje të rënduar. “Është jeta e tij personale dhe nuk mendoj se duhej publikuar ajo video, është cenim i privatësisë”, u shpreh këngëtarja.

 

Mes rrëfimeve për karrierën dhe jetën personale, këngëtarja ndau edhe një dëshirë të madhe për të ardhmen.“Dua një tufë me fëmijë”, u shpreh ajo.

Me 26 vite karrierë në skenë, Silva Gunbardhi solli për publikun një rrëfim të hapur dhe plot emocione, duke ndarë histori, kujtime dhe mendime mbi rrugëtimin e saj artistik dhe personal.

Top Channel