Festohen Pashkët ortodokse

15/04/2012 00:00

Mesnatën e kaluar është mbajtur mesha e shenjtë e Pashkëve në kishat ortodokse në Shqipëri.

Në Katedralen ortodokse të Tiranës kryepeshkopi Anastas ka mbajtur meshën për besimtarët që ndoqën ceremoninë.

“Duke kremtuar Pashkën ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati që shpesh është i vështirë për tu dalluar. Në kohët e sotme do të thotë largim nga korrupsioni e gënjeshtra, paligjësia e mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore”, tha në fjalën e tij kryepeshkopi Anastas.

Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e krishtërimit, ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

Meshat e shenjta janë mbajtur në të gjitha kishat ortodokse të Shqipërisë. Besimtarët nisën ceremonitë e Pashkëve që të premten, e quajtur dhe e premtja e zezë e deri në mesnatën e djeshme.

Topi uron ortodoksët nga Korça

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, realizoi një vizitë në Mitropolinë e Kishës Ortodokse në Korçë, nga ku parashtroi urimet e tij më të mira për të gjithë besimtarët që kremtojnë ditën e shënuar të Pashkëve, ringjalljen e Krishtit.

“Në filozofinë e kësaj feste uroj që të ringjallim kudo shpresën për jetën, shpresën për ditë më të mira dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë, njerëzit më në nevojë të kësaj shoqërie”, deklaroi Presidenti.

Presidenti, gjithashtu i theksoi se dëshiron që politika të tregojë një përgjegjësi të shtuar ndaj politikanëve, duke marrë shembull nga mesazhi i këtyre ditëve të shenjta. “Institucionet duhet të reflektojnë, në mënyrë që t’i ofrojnë një të ardhme më të mirë të gjithëve”.

Ndërkohë në Tiranë, Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama, uruan Kryepeshkopin Anastas për festën e pashkëve. 

 

Top Channel