Kandidati i Partisë Socialiste për anëtar i KLD-së, Ardian Visha, në një intervistë për Top Channel ka deklaruar se mbrojtja që i ka bërë Fatmir Mediut për çështjen e Gërdecit nuk ka lidhje me kandidaturën e tij.
Visha është shprehur se ka bërë detyrën e tij si avokat dhe ka nënvizuar se në çdo çështje që ka pasur ka respektuar Kushtetutën.
TCH: Zoti Visha, diskutimet sot u përqëndruan rreth deklaratës suaj për pafajsinë e ministrit Mediu, lidhur me akuzat për implikin në tragjedinë e Gredecit. Opozita mbështet kandidaturën tuaj, ndërsa ju ndani qëndrime krejt të kundërta mbi këtë çështje. Ishte një surprizë kjo në marrëdhëniet tuaja me opozitën, apo opozita e kishte marrë parasysh këtë kosto, le të themi?
Visha: Propozimi i PS për mua si kandidat në KLD vjen si vlerësim i karakterit tim individual, si dhe i shërbimit tim për drejtësinë. KLD duhet të ketë në përbërje njerëz që nuk kanë lidhje me politikën. Çmoj se me kontributin tim si avokat jam përpjekur të respektoj të drejtat kushtetuese që më ofrohen.
TCH: Ju dhe deputetë socialistë në komisionin e ligjeve kërkuat që të ndahet Ardian Visha si avokat dhe Ardian Visha si kandidat për në KLD. Mendoni se profesionin e avokatit dhe detyra e anëtarit të KLD-së duhet t’i bashkojë morali i drejtësisë dhe ligjit?
Visha: Absolutisht që do t’i bashkojë morali dhe besimi ndaj ligjit. Ato nuk bien ndesh dhe në personin tim gjejnë mishërimin.
TCH: Gërdeci dhe akuzat për krim shtetëror në lidhje me Gërdecin kanë qenë një shtyllë e fortë e luftës politike të opozitës dhe zoti Mediu ka qenë epipendra e kësaj lufte. Nëse nesër në KLD do të duhet të mërrni në shqyrtim një cështje që lidhet me Gërdecin, si do ta zgjidhni këtë dilemë mes atyre që ju propozuan dhe atij që mbrojtët?
Visha: KLD është një institucion që kontrollon gjyqtarin. KLD është edhe prokuror edhe aovkat, me qëllim kontrollin e aktivitetit të tyre. Sa për Gërdecin, unë nuk jam avokat i saj si ngjarje. Unë kam kontribuar në mbrojtjen e një individi dhe kam bërë detyrën time.
TCH: Keni kerkuar votat edhe të mazhorancës. A keni bërë ndonjë listë për të llogaritur për vota që mund të merrni nga e djathta?
Visha: Nuk kam bërë një llogaritje, por një analizë. Elementi kryesor ka qenë dëshira për të kandiduar, dëshira për të patur një anëtar KLD-je nga shoqëria. Nuk mund të ketë të ardhme në drejtësi nëse nuk ka shkëputje nga politika.
TCH: Keni frikë se me qëndrimet tuaja në komision mund të humbisni vota nga e majta?
Visha: Nuk kam frikë për këtë. Preferoj të humbas vota të përbashkëta, sesa të fitoj me vota të njëanshme.
Top Channel