Dita e 49-të e protestës, nis regjistrimi për “Kuvendin e Parë Kombëtar Qytetar”

18/07/2026 11:25

Në ditën e 49-të të protestës nis anëtarësimi për “Kuvendin e Parë Kombëtar Qytetar”, çelet me himnin kombëtar

Në ditën e 49-të të protestës, ka nisur procesi i anëtarësimit dhe regjistrimit për “Kuvendin e Parë Kombëtar Qytetar”.

Regjistrimi i anëtarëve vjen në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e kuvendit, i cili pritet të mbledhë përfaqësues nga qytete të ndryshme të vendit. Mes pjesëmarrësve ishte edhe ish-deputeti Selami Jenisheri.

Kuvendi u çel me interpretimin e himnit kombëtar. Organizatorët thanë se përmes platformës së krijuar do t’u jepet mundësia të gjithë qytetarëve të shprehin mendimin e tyre dhe të japin propozime. I pari që mori fjalën ishte Përparim Xheka, i cili tha se politika nuk e ka marrë ende mesazhin e protestës. “Edhe pas 48 ditësh proteste, politika nuk e ka marrë mesazhin. Prandaj kemi shprehur vullnetin e 800 protestuesve se si ta çojmë këtë protestë në fitore“, u shpreh ai.

Më pas foli Flora Xhemali Baba, e cila tha se është pjesë e protestës që nga dita e parë.
“Jam në protestë që nga dita e parë dhe do të jem aty edhe pasdite. Prej 35 vitesh politika u ka hequr çdo mundësi përfaqësimi qytetarëve. Prej 50 ditësh qeveria bën të shurdhrën dhe sulmuesen. Populli duhet ta marrë vetë veten në dorë. Na kanë hequr të drejtën dhe idealin për të kontribuar. Demokracia pjesëmarrëse nuk ekziston më“, deklaroi ajo.

Në vijim, Baba theksoi se nisma nuk duhet parë si një kuvend tradicional.
Ky nuk është kuvend. Kjo është mbledhja e disa njerëzve që ju të propozoni dhe të votoni se si populli mund të udhëheqë“, u shpreh ajo.

Top Channel