Drafti i të dhënave personale

02/04/2012 00:00

Këshilli i Ministrave ka dërguar për shqyrtim në Komisionin e
Integrimit, projektligjin për Disa Ndryshime në Ligjin aktual për
Mbrojtjen e të Dhënave, që është edhe një prej kërkesave të marrëveshjes
së Stabilizim-Asociimit.

Por Shqipëria, siç edhe e kërkon Kushtetuta, nuk ka një ligj për mënyrën e mbledhjes së të dhënave personale që do ishte hapi i parë dhe më pas mbrojtja e tyre. Ndryshimet në projektligj saktësojnë termat e dhënë personale, e dhënë biometrike, e dhënë gjyqësore, e dhënë anonime, e dhënë sensivitive, kush i kontrollon dhe përpunon dhe transferon ato etj.

Këto ndryshime në ligj vijnë në një kohë kur rreth 1 milion shqiptarë janë paisur me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, por në asnjë rast nuk kanë firmosur një kontratë apo të jenë njohur se kush dhe si do të ruhen këto të dhëna dhe cilat janë autoritet që kanë akses në to.

Antarët e Komisionit të Integrimit prisnin shpjegime të hollësishme për propozimet në nenet e ndryshuara të këtij ligji nga përfaqësuesit e Ministrisë së Inovacionit, Ministrisë së Integrimit dhe asaj të Komisionerit të Mbrojtjes të Dhënave.

Por performanca përfaqësuesve të qeverisë  përballë këtij komisioni ishte aprofesionale. Drejtoresha Juridike e Komisioneres së Mbrojtjes së të Dhënave nuk kishte njohuritë e duhura për ndryshimet, duke u shprehur se asaj iu kërkua 30 minuta përpara mbledhjes të vinte në Komision.

“Nga përfaqësuesja e komisionierit u pa qartë se ju nuk e dini çfarë propozoni. Prezantimi nga ana e ekspertëve, përkundrejt deputetëve, një cilësi shumë e dobët që duhet harruar. Besoj se do të gjej edhe mirëkuptimin e kolegëve të mazhorancës ta shtyjmë mbledhjen për nesër”, tha deputeti Taulant Balla.

“Për saktësi të procedurave të ndjekura do të doja në asnjë rast të mos përsëritet nivel i ulët i përfaqësimit të ekspertëve apo papërgatitje në mbrojtjen e projektligjit. Eshtë diçka që nuk do të ndodhë, Komisioni i Integrimit ka një rëndësi shumë të veçantë në këto momente. Maxhoranca e ka shprehur gjithnjë qëndrimin e saj lidhur me prioritetin që i ka vendosur vetes për integrimin e vendit, ndaj edhe unë mendoj që kjo mbledhje duhet të lihet për një kohë të dytë”, tha deputetja demokrate Mesila Doda.

Komisioni miratoi propozimin e deputetit Balla për shtyrjen e diskutimit të këtij projektligji ndërsa kryetari i Komisionit të Integrimit Ditmir Bushati kërkoi që në seancën e radhës të vinte ministri Pollo, komisionerja Çabej dhe përfaqësues nga Ministria e Rendit.

Top Channel