Statusi i vendit kandidat në BE

30/03/2012 23:30

Nuk qe thjesht një takim rutinë, por një bisedë shumë më e gjatë se të zakonshmet ajo që u zhvillua dje në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë mes shefave të diplomacisë shqiptare dhe asaj italiane.

Ministri i Jashtëm, Giulio Terzi, në përfundim të takimit me Ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, deklaroi se “ka besim të madh që Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe se Tirana është në një pikë mbërritjeje për sa i përket reformave të kërkuara nga Europa”.

Nga ana e tij kreu i diplomacise shqiptare deklaroi:

“Ishte një vizitë shumë e rëndsishme për momentin politik që dy vendet po kalojnë, për reformat, për sa i takon ceshtjeve ekonomike dhe cështjeve të BE. Italia ka qenë një mbështetëse e Shqipërsië për integrimin në BE. Ne kemi disa bashkëpunime të rëndësishme në disa fusha, në të cilat do të kemi zhvillime të mëtejshme”, tha Haxhinasto.   

Ndryshe nga ç’ndodh përherë, kjo vizitë nuk përfundoi me një shtërngim dore në sallën e shtypit. Ministri Giulio Terzi shoqëroi deri në dalje të ministrisë homologun e tij shqiptar, diçka e pazakontë për protokollin e institucionit.
 

Top Channel