Berisha: Do të ulim më tej taksat

30/03/2012 00:00

Reforma që lehtëson më tej bizneset nga numri i proçedurave dhe koha që duhet të shpenzojnë në zyrat e administratës ka ulur për konsultime kryeministrin Sali Berisha dhe përfaqësues të bizneseve shqiptare.

Këto reforma që lidhen me reduktimin drastik të burokracisë për regjistrimin e biznesit, lejet e ndërtimit, eksport-importin, regjistrimin e pronësisë, furnizimin me energji, janë mirëpritur përgjithësisht nga biznesi.

Por ajo që u vlerësua nga secili sipërmarrës ishte modeli fiskal për uljen e taksave. Kjo çështje, e cila po bëhet një nga pikat kryesore të debatit me opozitën, që propozon taksën progresive në vend të taksës së sheshtë, mori vëmendjen e kryeministrit Berisha.

Kreu i qeverisë, duke e cilësuar kohë të humbur diskutimin serioz për taksën progresive, bëri një premtim të ri të rëndësishëm.

“Ne jemi qeveri e përcaktuar për taksën e ulët, ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantojmë juve se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit”, deklaroi Berisha.

Kryeministri theksoi se së shpejti do të merret vendimi për heqjen e taksave për çdo biznesmen shqiptar ose të huaj që do të investojë për zhvillimin turistik të zonave malore.

Në takimin me biznesin, ku u premtua vendosja e një standardi europian në pagimin e akcizave, për disbursimin në kohë të fondeve për punët publike, për çmimin e referencave, kryeministri Berisha ndau të njëjtin shqetësim me biznesin për domosdoshmërinë e mbrojtjes së pronës intelektuale.

“Po të vjedh kush një mall në magazinë, vjen policia dhe e arreston. Por po t’i vidhet prona dikujt tjetër, që me një mund të madh e krijon dhe e prodhon, s’ndodh asgjë përveç pasojave. Është një imoralitet total”, theksoi Berisha.

Me kërkesën e biznesit, kryeministri premtoi se të tilla tryeza do të jenë një komunikimin konstant mes tij, qeverisë dhe sipërmarrësve. Pasi, siç tha shefi i qeverisë, ai e konsideron zgjerimin e lirisë së tregut si themelin e zhvillimit të biznesit, nëpërmjet të cilit rritet dhe konsolidohet klasa e mesme, si dhe zhvillohet në mënyrë të sigurtë ekonomia e vendit.

PS: Berisha u kujtua vonë

Partia Socialiste ka reaguar pas mbledhjes së tryezës të biznesit nga kryeministri Sali Berisha. Sekretari Programit “Për një Rilindje Kombëtare”, Ilir Beqja, nga selia rozë ka akuzuar kryeministrin se ai u kujtua me vonesë të dëgjojë problemet e biznesit.

Beqja ka renditur një sëre problemesh që ndeshet komuniteti biznesit për të cilat ka fajësuar qeverisjen e kryeministrit Berisha.PS: Berisha u kujtua vonë.

“Këtë vit Saliu e ka nisur gjithë javën me gënjeshtra. Deklaroi se Shqipëria është vendi i taksave të ulëta, nuk e thotë opozita, por është një raport serioz i komisionuar nga Banka Botërore i vitit 2012 që tregon se taksat në Shqipëri, pra ngarkesa totale ndaj sipërmarrjes është më e lartë se në vendet fqinjë. Nëse ka dikush që është kundër sipërmarrjes është qeveria”, tha Beqja.

Top Channel