Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek po angazhohet personalisht për pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Olimpike verore që do të mbahen në Londër.
Kështu njoftojnë mediat serbe, të cilat i referohen amendamentit të një rezolute mbi Kosovën, ku theksi vihet tek nevoja e përfaqësimit të shtetit të ri në institucionet ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe me evenimentet sportive.
Të njëjtat burime shtojnë se në këtë amendament, eurodeputetja ka nënvizuar mundësinë e pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në Lojrat Olimpike që do të zhvillohen në kryeqytetin britanik.
Lunaçek ka qenë ndër të parët zyrtarë të Parlamentit Evropian që nxiti nisjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave mes BE-së dhe Kosovës, në mënyrë që vendi ballkanas të mos mbetet i izoluar.
Në fillim të muajit Lunaçek u shpreh e pakënaqur me konkluzionet e Këshillit të Ministrave për Kosovën. Kjo, pasi dokumenti nuk garanton se të gjitha vendet e BE-së do ta nënshkruajnë MSA-në, në rast se studimi i fizibilitetit do të rezultonte pozitiv.
Por Lunaçek vlerësoi se nuk mund të pritej më shumë kur njihet qëndrimi i pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjithësesi, eurodeputetja këmbëgul që Kosova të shfrytëzojë në maksimum marrëveshjen e fundit me Serbinë, për të kërkuar vendin që i takon në bashkëpunimin rajonal, apo për anëtarësim në organizata të ndryshme.
Top Channel